“Një parti e re për Shqipërinë në BE” , me një podcast maratonë kryesocialisti Edi Rama ka nisur fushatën promovuese për gjithë kandidatët e rinj në listat për deputet.
Podkastin, Rama e filloi me një premtim, mandati i katërt i PS, do u ofrojë shqiptarëve pasaportën europiane.
“Të na bashkohet kushdo, të na bashkohet, që në fund të kësaj decade me mandatin e katërt, ccdo shqiptar të ketë pasaportën europiane me vete”
Rama renditi edhe përfitimet që do të kenë shqiptarët nga pasaporta e re, duke i dhënë fund diskriminimit që fillon nga sportelet e aeroporteve e për të jetuar si të barabartë brenda unionit.
“Me këtë pasaportë, Shqipëria bëhet sa Europa, dhe Europa sa Shqipëria. Studentët shqiptarë me të njëjtët tarifa në universitetet europiane si europianët.
Punësim pa leje pune. Sigurime shëndetësore njësoj si europianët.”
Në fjalën e tij, kryesocialisti paralajmëroi se hapjen brutale të listave për deputetë, do e aplikojë edhe në zgjedhjet lokale të 2027, një paralajmërim ky për kryebashkiakët e vjetër.
“Duhet ta bëjmë këtë edhe në nivel vendor, kryebashkiakët, këshillat bashkiakë, sepse njerëz me vlera për shkak të kësaj mbeten në hije. Partitë në terren shkojnë drejt mbylljes, jo drejt hapjes. Mendoj se është problem ky për ccdo parti. Kjo është një demokraci direkte”
Nga aleanca madështore e Berishes, kësaj radhe Rama piketoi kandidatin e tij në Lezhë, ish-gjyqtarin Gjin Gjoni.
“E shtrydh e shtrydh dhe në fund nxjerr Gjin Gjonin. Këtë dhuratë Lezhës vetëm këneta mund tia bënte. Pra, të vendosësh aty një jashtëqitje të Reformës në Drejtësi, një symbol të korrupsionit”
Me të ftuarit, kryesocialisti shkëmbeu batuta. Bora Muzhaqit i kujtoi memet, Romina Kukon e pyeti për dialektin korçar, kurse një kandidate nga Përmeti e përgëzoi se para saj ka vendosur shumë burra në rresht. Një kandidate tjetër nga Fieri vendosi në dijeni Ramën, se lajmin për kandidimin e mori nga televizori.
/ abcnews.al