Një ndeshje e madhe do të mbyllë sot javën e 7 të Superligës. Në Korçë, ndeshen Skënderbeu e Kukësi, pretendentë për titull.
Sezonin e kaluar i mbyllën hesapet kështu. Kukësi fitoi në Korçë, por Skënderbeu mori më të rëndësishmin, titullin. Kanë kaluar vetëm pak muaj, dhe dy rivalët do të jenë sërish përballë për javën e 7-të të Superligës, por shumëçka është ndryshe.
Veriorët pa sulmuesin kryesor që vendosi sfidën e atëhershme, Sidrit Gurin, dhe me korçarët larg forcës së frikshme të vjetshme. Skënderbeu padyshim që është më shumë në presion, pasi në sfidën e orës 17:45, do të duhet të bëjë kthesë pas dy rezultateve negative.
“Dy ndeshjet e fundit ne kemi bërë mirë në fushën e lojës, por futbolli i tillë është dhe nuk kemi marrë atë çka kemi prodhuar. Është sfidë e veçantë. Ne do futemi për të marrë maskimumin”, tha Shehi.
Trajneri Shehi kërkon këtë gjë nga skuadra.
“Duhet të jemi më disiplinuar dhe të mos dalim nga detyrat”, u shpreh Shehi.
Kukësi ndoshta është pak më i qetë, veçse pa formacion të plotë.
Rrumbullaku e kapiteni Musolli mungojnë, e Shameti ka probleme, veçse trajneri Cungu nuk trembet aspak.
“Synimet tona janë për të shkuar te fitorja çdo ndeshje. Nuk mendoj se është Korça më e dobët se vitet e tjera, është kompetitive”, tha Cungu.
Edhe pse pranë kreut, kritikat për Kukësin nuk kanë munguar.
“Që në fillimin e ardhjes time në Kupat e Europës, gabimet më tepër janë në fazën sulmuese sepse duhet të bënim më shumë gola”, tha Cungu./abcnews.al