Temperatura e lartë kur ishte vetëm 6 muajsh bëri që Erblin Karaj të mos ngrihej kurrë në këmbë.
Sot është 31 vjeç, i paralizuar dhe i detyruar të lëvizë në karrocë me rrota, pasi sëmundja kur ishte një foshnjë i kushtëzoi gjithë jetën.
“Erblini në moshën 6 muajshe ka kaluar një temperaturë dhe kjo i ndikoi në mos zhvillimin e gjymtyrëve të poshtme. Trajtohet me kemp dhe unë me kujdestari prej 27 vitesh. Probleme shëndetësore nuk kishte, por, jetoja në një vend të largët dhe ardhja për ta ndjek rregullisht nuk qe e mundur, por më mbrapa pas 3 javëve u interesova, fakti qe që djali nuk mund të ecte. U bë 31 vjeç djali kurrë nuk ka ecur njëherë me këmbët e tij”.
Mamaja e Erblinit Liljana, me origjinë nga Burreli, tregon sa e vështirë është të jesh një nënë e divorcuar, me një fëmijë të sëmurë, në një fshat të largët malor të Matit, kombinime që thuajse bënin një mision të pamundur.
“Vështirësitë nuk janë vetëm të nënës, por, janë të gjithë familjes. Por unë si kujdestare e vetme e kam pas shumë të vështirë, që 3 vite e gjysmë unë kam qenë e vetme në çdo aspekt të tij. Kam jetuar e vetme dhe me qira. Ishte e pamundur të punësohesha, sepse djali ishte i vogël donte kujdes”.
Por, pavarësisht çdo pengese, që herë pas herë dukej e pakalueshme, nënë e bir, u bënë heronjtë e fatit të tyre, ndërsa ndryshe nga qindra të tjerë në kushtet e tij Erblini duhej të arsimohej si të gjithë bashkëmoshatarët.
“Në ditë shiu ishte dhe ndjesia e turpit, përcillja djalin, por në kohë shiu do i fusja këmbët në qese e lartë çadër, përfundoi shkollën e mesme”.
“Vështirësia ime më e madhe ndër vite ka qenë infrastruktura dhe pranimi në shoqëri. Doja të filloja 9 vjeçaren ka qenë obobo si do vijë ky, do bjer nga shkalla se shkoja me karrocë. Në 9 vjeçare ka qenë më ndryshe se duke qenë edhe mosha më e vogël e kam kaluar, por duke u rritur kam kuptuar që sa më shumë integrohesh në shoqëri aq më e vështirë është përshtatja e njerëzve me ne. Sepse jo çdokush… thjeshtë shohin një person në karroc dhe thonë thjeshtë ka një nevojë…”.
Tashmë Erblini ka një diplomë për informatikë, por paragjykimet në tregun e punës po ia bëjnë një ëndërr të parealizueshme që një ditë të ketë pagën e tij, të kontribuojë në shoqëri dhe të jetë i pavarur.
“Studimet i kam mbaruar për Informatikë Profesionale dy vjeçare. Nuk kam punuar asnjëherë, sepse kanë qenë kushtet e papërshtatshme, normalisht e kam hasur këtë vështirësi gjatë gjithë kohës. Kushti kryesor për ne personat me Aftësi Ndryshe është përshtatshmëria dhe normalisht nuk më pëlqen ta them por, janë edhe paragjykimet. Në këtë moment u kërkoj të kem një punë, qoftë edhe online se mund ta bëj shumë mirë, të punësohem dhe të kem një jetë të lumtur pa kushtëzuar askënd”.
Apelin për punësimin e djalit e ka edhe nëna e tij heroinë, pasi thotë se integrimi i Erblinit si i barabartë më të gjithë është misioni i saj.
“Tani për tani punësimi është i domosdoshëm për djalin. Integrimin e djalit e kam domosdoshmëri, të integrohet në punë dhe shoqëri”.
“Mesazhi im është i qartë, mos bullizoni, falni dashuri…”/abcnews.al