Sfidat e romëve në Shqipëri/ Në çdo qytet një lagje, të mënjanuar nga shoqëria

schedule21:25 - 4 Gusht, 2023

schedule 21:25 - 4 Gusht, 2023

Të rritesh si pjesë e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipërinë e vitit 2023, është më e vështirë se ç’duket. Ndonëse pretendohet një lloj emancipimi social, stigmatizimi vijon.

Diferencimi racor bëhet edhe më i dukshëm, kur çdo qytet e ka një lagje specifike ku banojnë vetëm pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian. Jetojnë në zonën e tyre, ku ndërveprojnë më njëri tjetrin dhe kjo shfaqët si një situatë e normalizuar. Shtetas shqiptar, por nuk gëzojnë të njëjtat mundësi siç është shkollimi, punësimi, e deri te më bazikja; strehimi.

Stereotipizimi i një romi apo egjiptiani, ku rëndom thuhet se nuk janë higjenike, nuk kujdesen për shtëpinë, kategorizimë të tilla bëhen pengesa për individin apo familjen në tentative për tu përfshirë në shoqëri. Si pasojë e këtyre shprehive popullore, varfëria është tipari i përbashkët. Kjo varfëri sjell pamundësinë për shkollim, që për rrjedhojë sjell vështirësinë në marrjen e një profesioni dhe punësimin, e më pas pamundësinë e një strehim për veten dhe familjen. Një rreth vicioz, që kërkon shumë dedikim, kurajo dhe durim të thyehet nga një rom apo egjiptian që dëshiron të jetoj një jetë që përfshin të njëjtat kushte dhe të drejta si çdo qytetar tjetër.

Për një rom apo egjiptian, jeta është thjesht dhe padrejtësisht ndryshe.

Ligji nr.10 221/2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” shpreh se: duhet të zbatohen dhe respektohen parimët e barazisë dhe mosdiskriminimit në lidhje me racën, etninë, ngjyrën, gjuhën, shtetësinë, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore etj.

Ky ligj parashikon se: “1. Personi fizik ose juridik që ofron të mira apo shërbimë për publikun, me pagesë ose jo, ndalohet të diskriminojë një person tjetër, i cili kërkon t’i arrijë ose t’i përdorë ato: a) duke refuzuar t’i japë një personi të mira apo shërbime për shkaqë diskriminuese.

Por kjo nuk ka ndaluar krijimin e një fenomeni; familjet e komunitetit nuk pranohen si kliente potencial për të jetuar në një shtëpi më qira, aq më pak ta blejnë ate. Refuzimi është më i shpështë se e kunderta.

Një situate e rëndë, në vijim prej vitesh, paraqitet për disa familje në qytetin e Kavajës, për ku u nisem me grupin e xhirimit te Abc News.

Pas një rrugëtimi për pak më tepër se një orë, pranë spitalit të qytetit na priste Edmond Sula. Edmondi, baba i 5 fëmijëve, ka marre përsipër të ngrejë zërin për cilido nga banorët e lagjes nr. 12, në godinat e ish-Ndërmarrjes së Grumbullimit. Keta shtetas shqiptare janë njëkohësisht pjesë e komunitetit egjiptianë. Plot 36 familje, të cilat jetojnë në mëshirë të fatit, në shtëpi të sajuara me llamarinë.

Edmondi, i lodhur nga kjo situatë por i bindur në fjalët e tij, na tregoi për kushtet në të cilat ndodheshin.

“Kemi vite këtu, kemi qenë te reparti ushtarak 4-5 vite. Kemi venë një penxhere një dere që e kemi rregullu vete. Duam t’i çojmë fëmijët në shkollë dhe nuk i çojmë dot. Unë punoj në pastrim, bashke më nusen. Kërkesën e kemi bërë të gjithë si banorë që jemi të pastrehë. Enërgjinë elektrike shkova në tiranë, ankimova atje. Kishim vite pa drite. Erdhën dhe vendosën enërgjinë me sahate të rregullta. Të gjithë banorët këtu e paguajnë enërgjinë elektrike. Ne jemi te gatshem te paguajmë edhe banësa sociale, edhe enërgji elektrike gjithcka. Ne kemi shumë gra që janë me ilaçe, me zemër. A jetohet më te ngrohtin dhe te ftohtin e ketyre barakeve? Kjo duhet te jete shumë llogjike. Në rradhë te parë kalamajtë.”, thotë ai.

“Jemi në punë, bashkë me burrin, jemi të rregullt (tregon librezen). Duam rehatinë në rradhë të parë. Të jetojmë si të gjithë njerëzit. Fëmijët tanë të dalin të rregullt. Unë kam 5 fëmijë. Gocën e kisha në shkollë, e nxorra se nuk kemi kushtet. Nuk kishim as ujë. Të na japin pallate se ne i paguajmë. Duam rehatinë tonë.”

“Jam banore e Kavajës prej 40 vitesh. Sot jam invalide, burrin e kam invalid, djalin e kam në punë. Jetojmë si mos më keq. Unë jam më 4 diagnoza.”, shprehen banorë të lagjes nr.12.

Sipas LIGJ Nr. 22/2018 PËR STREHIMIN SOCIAL:

  1. e drejta për strehim i garantohen pa asnjë lloj diskriminimi çdo individi dhe se 2. Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të përfituar strehim në një nga programet sociale të strehimit

Po në këtë ligj cilësohen edhe programet e strehimit, te cilat janë:

  1. a) programi i banesave sociale me qira,
  2. b) programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;
  3. c) i banesave me kosto të ulët,

ç) zhvillimit të zonës me qëllim strehimi;

  1. d) krijimi i banesave të përkohshme;
  2. dh) apo programi i banesave të specializuara.

Statusin e përfituesit nga programet sociale e marrin ato individë apo familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura. Ndër kriteret e specifikuara për përzgjedhjen e përfituesit të statusit, duke u bazuar në sistemin e pikëzimit, është edhe të jesh anëtar i komunitetit rom apo egjiptian.

Ka kushte të cilat përcaktojnë nëse një hapësirë është e përshtatshmë për strehim. Ato specifikohen në ligjin për strehim social

Shtëpi quhet kur garantohet privatësia, një jetesë të sigurt, të qetë dhe më dinjitet. Me hapësira të mjaftueshme banimi sipas normave të strehimit dhe standardeve të ndërtimit. Me shërbime bazë, brenda mjedisit të banimit. Siguri nga shkaqe natyrore apo njerëzore, furnizim me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, largimi i ujërave të ndotura dhe menaxhimi i mbetjeve.

Qartazi, asnjë nga këto pika nuk përmbushet në shtëpitë e sajuara në ish Ndërmarrjen e grumbullimit.

Sipas informacioneve të disponuara, këto familje kanë fituar bonusin e qirasë nga bashkia e Kavajës. Një ndër format e mbështetjes sociale, të përfituara nga individi apo familja në bazë të ligjit për strehim, i cili i siguron të ardhurat mujore për të paguar qiranë e një prone, pasi ata të kenë lidhur një kontratë. Në këto kushte, përballemi me një qorrsokak. Bashkia e gatshmë të ndihmoj, shoqëria asnjë gatishmëri.

Komisioneri për mbrojtjen ndaj diskriminimit ishte dera tjetër në të cilën trokitëm. Ky institucion siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë etj.

  1. Robert Gajda na zbuloi se rastet janë të përsëritura prej vitesh, me dhjetra vendime të dhëna ku vërtetohet, legjitimohet diskriminimi ndaj komunitetit rom dhe egjiptian.

“Kjo është një ndër situatat e evidentuara. Ka edhe qytete të tjera me situatë të ngjashme. Këto janë realitete që njihen prej dekadash nga pushteti vendor. Një neglizhencë nga ana e pushtetit vendor për të adresuar apo për të tentuar të gjejnë zgjidhje për rregullimin e jetesës së këtyre banorëve. E drejta për një strehim dinjitoz është për çdo njeri, dhe duhet tu garantohet të gjithëve. Këto familje janë në rrezik për jetën, kabllot e elektrikut në kontakt me ujin. Por edhe probleme në kushte epidemie për shkak të kanalizimeve të ujërave të zeza.”, u shpreh Gajda.

Këtë situatë e vërtetojmë në bisedën tonë me agjenten imobilare, Maria-Lena Shena. Në përditshmërinë e saj, Maria shpreh se has raste të diskriminimit racor nga pronarët e banesave të listuara në agjenci. Ajo vetë pranon të ketë qenë në mesin e shumë kontratave të palidhura pikërisht për këto arsye.

“Ne e hasim shumë shpesh, mundohemi të rritemi brenda kompanisë me idenë që mos të diskriminojmë nga ana jonë, të ofrojmë shërbimin kundrejt këtyre klienteve. Fokusi jonë është te njerëzit, por hasim ‘jo-në‘ nga pronarët.

Ne mundohemi t’i bindim pronarët, të ruajmë balancat, mundohemi t’i shërbejmë personave pavarësisht racës. Nëqoftëse refuzohet nga një pronar, nëse kemi një ‘jo’ të panegociueshme, atëherë kalojmë në apartamente të tjera derisa këtij njeriu t’i sigurohet një pronë. Pronarët shqiptarë duan të dijnë origjinën e klientit dhe pozicionin e punës që ka. Është e nevojshme të dijmë pse ky qiramarrës është shkëputur nga një kontratë tjetër. Dhe të dijmë nëse është në një marrëdhënie pune. Pronari ka të drejtë të jetë dyshues por nëse do të ishte në kontakt me çdo kandidat, do të hynte emocioni në mes. “, theksoi agjentja.

U lidhëm me avokatin Gentian Serjani, i organizatës “Drejtësi Sociale”. Ai na tregoi se ka situata të ngjashme në të gjithë shqipërinë, që përtej pengesave institucionale, karakterizohen dhe nga një diskriminim i thellë shoqëror

“Bashkia me të drejtë deri diku tha që nuk kam asnjë program tjetër për t’i ndihmuar këto familje përveç bonusit të qirasë. Qytetarët dolën edhe kërkuan për banesa me qira në qytetin e Kavajës. Askush nuk i dha. Edhe në raste kur ka vullnet pozitiv nga bashkia, u gjet e pamundur për tu zbatuar sepse nuk kishte qytetar që të jepte banesën e tij. Përshtatja e godinave jashtë funksionit si banesa për të varfërit, një program që do të jepte zgjidhje. Edhe në bazë të vendimeve të komisionerit për diskriminim. Një nga fushat ku ka pasur një vendim diskriminimi, është edhe fusha e strehimit. Në qytetin e Kavajës kanë dalë në një vendim se bashkia po i diskriminon. Por një vendim tjetër është shprehur se shoqëria nuk po ua jep mundësinë këtyre familjeve të strehohen. Situata sot e kësaj dite është e njëjtë. Kur kemi këtë qasje nga shoqëria, por edhe kur nuk ka programe strehimi nga bashkitë, situatë do të vijoj e njëjtë. I vetmi program strehimi është bonusi i qirasë, por bonusi i qirasë ka si kusht të vetëm dhe kryesor të pasurit një kontratë qiraje.

Ndodh në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në Elbasan kam kërkuar personalisht për një shtëpi për një familje rome, jetonin në kasolle dhe bashkia kishte shprehur dëshirën t’i ndihmonte nëpërmjet bonusit të qirasë. Kur më shihnin mua ishin të gatshëm, kur i prezantoja familjen kategorikisht kundërshtonin. Dukej qartë nga mënyra si reagonin që i diskriminonin. Ata mendojnë që nuk do të jenë korrekt me pagesën, ndërkohë që bashkia kishte dalë garant ta paguante. Për higjenën së dyti, ndërkohë që shohim se punonjësit që mirëmbajnë banësat janë të komunitetit rom dhe egjiptian. Dhe e fundit nga numrin i fëmijëve. Fëmijët do të thyejnë xhama mobilje etj. Nuk janë arsyet kryesore të mosdhënies, unë shoh diskriminimin që duhet theksuar. Jemi popull që diskriminojmë.”, deklaroi Serjani.

Sipas vendimit të komisionerit për mbrojtjen ndaj diskriminimit, i cili cilësoi se ata janë diskriminuar, evidentohet se të gjithë familjet që u strehuan fillimisht në ambientet e ish-Repartit Ushtarak u zhvendosën përkohësisht në ambientet e ish-Ndërmarrjes së Grumbullimit, aty ku në i gjetem. Bashkia në fjale ka shprehur se nuk ka mundësi financiare për të ndërtuar banesa sociale, për të sistemuar këto familje egjiptiane. Për pasoje kanë aplikuar subvencionin e qirasë apo bonusin e qirasë. Kanë përfituar subvencion qiraje 12 familje nga të cilat 7 familje bëjnë pjesë në komunitetin e pakicës kombëtare egjiptiane. Pavarësisht se këto familje janë përfshirë në këtë program, ato nuk e kanë marrë subvencionin sepse nuk kanë plotësuar dokumentacionin përkatës (kontratën e qirasë me qiradhënësin) që është kriteri kryesor për dhënien e bonusit të qirasë.

Cila do të ishte një zgjidhje për avokatin Gentian Serjani?

“Përshtatja e godinave të dala jashtë funksioni për banesa për të varfërit. Ne sot nuk kemi asnjë bashki që të zbatoj këtë program. Sepse Ministria thotë që ekziston ky program por nuk ka buxhet, e argumenton duke thënë se nuk ka kërkesa nga bashkitë. Dhe mjafton që një apo dy bashki që e kanë këtë problem të aplikojnë pranë Ministrisë, t’i nxisin që të bëjnë buxhet. Dhe të strehojnë familjet jo të varura nga individë privatë. Bejnë një harmonizim të programit, t’i strehojmë, t’i nxisim të punësohen, dhe t’i nxisim të edukohen.”.

Edhe për komisionerin e mbrojtjes ndaj diskriminimi, ka zgjidhje të cilat do të krijonin mundësi strehimi për komunitetin rom dhe egjiptianë të vendosur përpara kësaj situate që paragjykon dhe mënjanon nga të gjitha anët.

“Një zgjidhje është heqja e taksës që qiradhënësi jep. Mendoj se përderisa bëhet fjalë për një bonus qiraje që ka karakter social, një nga mënyrat për të qenë edhe më ndjellëse për qiradhënësin, për t’i hequr një barrë fiskale, kjo taksë për qiranë të hiqet që të lehtësohet marrëveshja. Ose pushteti vendor t’i marr me qira këto banësa dhe tua jap familjeve rome apo egjiptiane.”

Viti është 2023, informacioni është më i aksesueshem se kurrë. Bota është në përparim të vazhdueshëm, me hapa galopant. Familjet rome dhe egjiptiane jetojnë ende në kushte të paperceptueshme nga një pjesë e madhe e popullsisë. Nga njëra anë hasim pengesa institucionale të cilat edhe kur janë të gatshme të zgjasin një dorë, ajo shtyhet tutje nga mungesa e empatisë, mungesa e ndërgjegjësimit, dhe paragjykimi i theksuar i shoqërisë.

“Në momentin që kemi këtë lloj qasje nga shoqëria, do t’i lemë mënjanë, por edhe nuk trajtohen nga bashkia apo institucionet, atëherë shohim se situata e tyre do të jetë e njejtë. T’i marrim nga qytetet, t’i çojmë në një zonë të largët, në një fshat. Ta dijmë si shoqëri që nuk mund të pranojmë njerëz të tillë të jetojnë bashkë me ne.”, u shpreh avokati Gentian Serjani.

Sot këto familje janë duke luftuar më valët e nxehta të tempëraturave ekstremë të verës. Pak muaj më vonë do të përballen më shiun e rrëmbyeshëm dhe të ftohtin dimëror. Siç kanë bërë prej vitesh tashmë. Në mes të qytetit, përball syve të të gjithëve, por të padukshëm dhe në mëshirë të fatit. Edhe sa do të vazhdojë kjo gjendje?/abcnews.al