Këta zjarrfikës të stacionit të Kombinatit në Tiranë e kanë marrë shërbimin në orën 7.00 të mëngjesit dhe e lënë pas 24 orësh. Duhet të jenë gati në çdo rast. Për ta çdo sekondë vlen, pasi nuk kanë kohë për të humbur.
Edhe në rastet kur nuk thirren nga salla operative për ngjarje, 24 orëshi i tyre në punë përfshin edhe trajnimet edhe stërvitjet.
Dorjan Shima përballet me flakët prej dy dekadash.
“Në moshën 22-vjeçare e kam nisur, u bënë 20 vjet. Është profesion shumë tërheqës dhe human.”
Betejat me zjarrin janë të gjitha të vështira, por 44-vjeçari në kujtesën e tij do të ketë gjithnjë ngjarjen e disa viteve më parë në një qendër tregtare. Pas ditësh kërkime, Dorjani gjeti trupin e pajetë të të riut Arjan Sala.
“Tre ditë në zjarr që bëri shumë jehonë na atë kohë. Ishte zjarr me shumë përmasa.”
Puna e vështirë e një zjarrfikësi sjell gjithnjë shqetësim edhe tek familjarët e tyre.
“Për çdo zjarr që shohin në televizion marrin direkt ne telefon thonë çfarë ndodhi.”
Komandanti Luan Shehaj drejton prej më shumë se një dekadë ekipin e zjarrfikësve të stacionit të Kombinatit. Për ta rrezikshmëria është gjithnjë e pranishme, por kujton dy situata si më të vështira.
“Njëra një zjarr në bibliotekën kombëtare, që është punuar për shumë orë. Ndërsa tjetra te fabrika ne autostradë. Aty është bërë një luftë jashtëzakonisht e madhe. Nuk e mendoja kurrë që do fikej aq shpejt në një kohë rekord. Aty janë përdorur disa mënyra që nuk janë përdorur në ndonjë zjarr tjetër.”
Përgatitja fizike është thelbësore për një zjarrfikës. Ata kryejnë trajnime të ndryshme për të mësuar si të përballen me zjarret, si të shpëtojnë persona të bllokuar apo si të përdorin pajisjet e specializuara.
“Trajnimet të rinjve ua japin këta të vjetrit sepse këta i kanë provuar të gjitha.”
Në ditën kur nderohen sakrificat e heronjve të flakëve, Luan Shehaj që la jetën ushtarakë për t’i shërbyer komunitetit me një tjetër uniformë e cilëson kështu profesionin e zjarrfikësit.
“Kjo të mëson me një disiplinë punë, me guximin, bashkëveprimi dhe puna në grup. Përgjithësisht kur dëgjojmë fjalët të mira aty ndjejmë kënaqësinë e punës tonë.”/abcnews.al

