Artani nuk e dinte, se një shiringë mund ti ndryshonte jetën përgjithmonë. Ishte 28 vjeç kur nga kurioziteti mori drogë me shiringë për herë të parë nga shokët në Gjermani. Nga ajo shiringe u infektua me Hiv/Aids.
“Unë personalisht kam Hiv/Aids dhe jam diagnostikuar edhe me Hepatit C e kam marr nëpërmjet shiringës në Gjermani. E konstatova duke bërë një test rutinë në Shqipëri. Në fillim kur e dëgjova as mua nuk mu besua, mendova mos është bërë diçka gabim, nëse testet nuk janë të sakta, derisa bëra analizat edhe sot e kësaj dite po vazhdoj kurën nga doktori.”
36-vjeçari tregon për Abc News se infektimin me HIV-Aids e mësoi rastësisht, pasi nuk kishte shfaqur asnjë shenjë të dyshimtë, ndërsa pranimi i sëmundjes ishte i vështirë për të dhe familjen e tij.
“Momentin e parë nuk mu besua as mua, e as shtëpisë, bëri dhe nusja analizat dhe doli po ashtu pozitive, me Hiv/Aids dhe me hepatit. Babi filloi duke qarë në fillim, më dukej e pabesueshme, nuk kam pasur dhimbje fare. Jam i njëjtë si më parë si tani, thjeshtë e kam në trup. Nuk e ka shkruajt Zoti, sepse unë e kam marr duke pirë drogë, por që të arrij deri në këtë pikë nuk e dij”.
Sipas shifrave të raportuara nga ISHP për vitin 2024 në Shqipëri, deri në muajin nëntor rezultojnë 119 raste të reja me Hiv-Aids, 4 prej tyre janë fëmijë të vegjël të infektuar në rrugë vertikale nga nëna tek fëmija. Sipas mjekut Infeksionist Arjan Harxhi, kjo shifër është alarmante për vendin tonë, teksa tregon se kjo ka ardhur si pasojë e mos testimit të nënave gjatë shtatzënisë.
“Një veçori e shifrave të këtij viti, prania e disa rasteve tek fëmijët e vegjël, kemi shifrat e raportuara njësoj si edhe vitin e kaluar kemi transmetim nga nëna te fëmija që quhet vertikal, kemi 4 raste të reja. Do e konsideroj që është problem, sepse do duhej që duhet të kishim shidrë. Zero, nuk duhet të kishom shifra në 2024, kjo vjen nga mostestimi i grave shtatzëna, sipas shifrave 1/3 e grave shtatzëna janë skrinuar, testuar nga HIV/AIDA, duhej 100%. Ekziston protokolli, por, nuk aplikohet”.Në Shqipëri janë mbi 1800 raste të raportuara me Hiv-Aids, dhe sipas bluzave të bardha është një epidemi kryesisht e meshkujve në vendin tonë.
“Pra është një epidemi kryesisht e meshkujve, 3/4 rasteve. Treguesi i një sjellje të rrezikshme, por, edhe treguesi se mbi 80% e rasteve raportojnë rrisqe të raporteve heterseksuale, mendoj se shifra e rasteve me kontakte homoseksuale mund të jetë e nën raportuar për shkak të stigmës së diskrininimit dhe të shpalljes së orientimit seksual tek meshkujt”
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka shifra më të larta.
“Konkrerisht për shembull unë kam shifrat për dy vende të rajonit që janë të ngjashme me Shqipërinë siç është Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Maqedonia e Veriut ka raportuar 53 raste, Kosova 29 raste të reja për 2024, ndërsa Shqipëria 119. Është një zile alarmi që ne jemi më keq se vendet e rajonit për risqet dhe transmetimin e këtij infeksioni”
Specialistët bëjnë thirrje për diagnostikim të hershëm, si dhe për më shumë fushata sensibilizuese tek të rinjtë për minimizimin e sjelljeve të rrezikshme.