Sfidat e agroturizmit/ Civici: Menaxhimi dhe fuqia punëtore. Rrapaj: I domosdoshëm dixhitalizimi, problem edhe përpunimi i mbetjeve

schedule20:54 - 23 Shkurt, 2024

schedule 20:54 - 23 Shkurt, 2024

Zëvendës ministri i Bujqësisë, Enio Civici thotë se një ndër shqetësimet më të mëdha në zonat rurale është dokumentacioni i pronës. I ftuar në emisionin “Sheshi i dollarit”, Civici përmendi gjithashtu, si një sfidë me të cilën përballet agroturizmi, edhe aftësinë profesionale si edhe fuqinë punëtore.

“Shqetësimi më i madh në zonat rurale është dokumentacioni i pronës, i domosdoshëm për certifikimin. Që të certifikohesh duhet certifikata e pronës. Prandaj puna jonë është dhe në atë drejtim. Sfida e dytë është aftësia profesionale e atyre që e drejtojnë atë. Duhet aftësi të vecanta për t’i koordinuar dhe kthyer në një ofertë. Kemi një rast në Valbonë, dy agroturizma identike në pamje, të drejtuara njëri nga xhaxhai dhe tjetra nga nipi. Kjo e para ka vetëm tre ditë të zëna në një muaj, kjo e dyta ka vetëm tre ditë të lira. E vetmja gjë që ndryshonte ishte menaxhimi sepse nipi punonte dixhitalisht, kontaktonte njeriun në fund të botës ndërsa xhaxhai e drejtonte në mënyrë tradicionale. Sfida e tretë është forca punëtore. Një agroturizëm mesatarisht punëson 8-9 persona sot. Kemi një rast që punëson mbi 100 njerëz. Çështja është që duke ikur nga zonat rurale dhe ardhur në zonat urbane, këto zona rurale nuk kanë forcë punëtore dhe prandaj duhet të rrisin opertën dhe kemi parë raste që ato agroturizma që kanë rritur të ardhurat kanë konkurruar me restorante dhe njësi tregtimi në qendër të Tiranës. Duam të miksojmë punësimin. Jo medoemos që ti jeton në zonën rurale dhe të punësosh njerëz atje. Duam ta kthejmë kursin. Po sikur të jesh në qytet dhe mezi të presësh që të të thërrasë një agroturizëm. Ata që kanë rritur pagat që të shkojnë të punojnë atje kanë konkurruar direkt me hotele më të mëdha në Tiranë.“, u shpreh Civici.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Agim Rrapaj tha se përveç fuqisë punëtore, një sfidë është edhe dixhitalizimi, financimi i këtyre zonave, përmirësimet ligjore si edhe përpunimi i mbetjeve.

“Problemin e parë e kemi me kooperimin dhe koordinimin. Duhet të punojmë fort mbi këtë proces sepse e kemi pikë të dobët.  Kjo është sfida e parë që duhet të kapërcejmë. E dyta, ka të bëjë me inovacionin dhe dixhitalizimin, është i vështirë dixhitalizimi në këto zona. Kemi mundësi që edhe këto zona, si në zonat e qytetit me zgjidhjen e problemit të dhënies së shtëpive me qira nëpërmjet platformave elektronike, kemi mundësi ta bëjmë edhe me bujtinat në fshat edhe me ushqimin por edhe gjatë periudhaës për t’i zënë me turistë. E treta, mbetet financimi i këtyre zonave për të zgjidhur problemet e infrastrukturës. Është domosdoshmëri të angazhojmë më shumë fonde që ta mbështesim agroturizmin fuqishëm për t’i shfrytëzuar në maksimum. Sfidë tjetër janë përmirësimet ligjore që duhen bërë që të kemi mundësi që ta bëjmë të qëndrueshëm agroturizmin si zhvillim por edhe në konceptin e gjerësisë. Sfidë tjetër mbetet përpunimi i mbetjeve. Nuk e kemi një strategji të tillë.“, u shpreh Rrapaj./abcnews.al