Një mëngjes i zgjuar ndryshe me vështirësi në lëvizje, dhe me dobësim të shikimit, ishin ndër sinjalet e para që e lajmëruan Xhenisa Shanin se diçka nuk po shkonte siç duhej me trupin e saj. Para 6 vitesh, ajo ishte 24 vjeç kur u diagnostikua me Skleroza Multiple. Një sëmundje autoimune kronike, e cila prek trurin dhe palcën kurrizore.
“Jam zgjuar një ditë me probleme të ekuilibrit, pamundësi për të lëvizur. Edhe probleme me shikimin, nuk arrija të shihja dot qartë. Aty kuptova që kishte diçka që nuk shkonte. Mjekët më thonin që kjo është një diagnozë që do ta kesh gjithë jetën. Thjeshtë jam munduar që të marr sa më shumë informacione për këtë sëmundjen dhe si ta përballoj.
Në kohën kur mësoi sëmundjen Xhenisa studionte për Kimi dhe Tekonologji Ushqimore, dhe nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për diagnozën që do t’i ndryshonte jetën. Ajo tregon se veprimi i parë që bëri ishte kërkimi i informcionit në google mbi sëmundjen.
“Nuk e kisha hasur asnjëherë emrin e kësaj sëmundje. Normalisht që duke hulumtuar në internet, burime të tjera informacioni. Kam kuptuar pastaj që është një sëmundje kronike që vazhdon gjithë jetës. Shikoja persona me të njëjtën diagnozë, por, që sëmundja kishte agravuar më shumë. Mendoja që edhe unë mund të arrij në atë pike. Këtë pjesë e kam përjetuar shumë.”
Si rrallë herë, Xhenisa e pranoi që në fillim sëmundjen. Pas diagnostikimit ajo thotë se jeta e saj ka marrë tjetër formë, bashkë me të edhe ëndërrat për të ardhmen.
“Patjetër që ka ndryshuar, po mund të them që është më shumë nga ana psikologjike. Sepse nuk e mendoja kurrë që mund të kisha një ditë këtë diagnozë. Ka ndikuar në mënyrën sesi unë e mendoja të ardhmen. Nuk ka qenë refuzim të kësaj sëmundjes. E kam pranuar që në fillim”.
Mosnjohja e sëmundjes në rrethin shoqëror, ishte një tjetër sfidë.
“Skleroza multiple e ngatërronin me demenzën. Që lidhet me harresën. Nuk kishin informacion të rinjtë me këtë, ngaqë fizikisht nuk dukesha që e kam këtë diagnozë, kur e shprehja tek të tjerët shifja një lloj mëshire.”
Kur bëhet fjala për shëndetin, koha e zbulimit të sëmundjes është vendimtare.
“E kam kapur në fazë të herëshme. Besoj se koha ka të bëjë shumë me këtë sëmundje, sa ma herët t’a pranosh që e ke këtë problem, aq më mirë është”.
Historia e Xhenisës na tregon se edhe me një diagnozë që zgjat gjithë jetën, shpresa, pranimi dhe forca e brendshme mund të bëhen mjetet më të fuqishme për të ecur përpara.
“Forcën duhet ta gjejnë tek vetja, të shpresojnë që do vijnë ditë më të mira”…. / abcnews.al /

