Rama: Një gjë tjetër që koha e ka treguar më së mirë, është fakti që në zonat e mbrojtura nuk janë penguese të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së të ardhurave. Nëse menaxhohen me zgjuarsi dhe në mënyrë kreative, por nëse administrohen si duhet në aspektin e mbledhjes së të ardhurave, të ardhurat nga këto zona mund të jenë të konsiderueshme dhe të funksionojnë si burim i ri. Sot më vjen mirë të them që ne kemi faktikisht mbi 1 milion hektarë të përfshira në territorin e përgjithshëm të zonave të mbrojtura.
Që janë gati 22 % e mbarë territorit, por nuk mjafton ta thuash në mënyrë të përgjithshme ajo që duhet është më pas futja më thellë brenda gjithë këtij territori që mblidhet në 1 mln ha, për të parë se si në cdo pjesë të tij potencialet e zhvillimit ekonomik janë po aty.
Agjencia Kombëtare e zonave të mbrojtura, i ka katërfishuar të ardhurat e veta ne tre katër vitet e fundit. Potenciali është shumë më i madh. 70 % vijnë nga tre pika, Dajti, Syri i Kaltër dhe Kune Vain. Sistemi i menaxhimit elektronik të të ardhurave ka sjellë një hov cilësor.
Dua të them që në këto vite që kemi para që përkojnë me momentin historik të përpjekjes për anëtarësim, fokusi te mjedisi te pyjet dhe mirëmenaxhimi i tyre, do të jetë shumë herë më i madh. Sfida që lidhet me ato pjesë të negociatave që prekin mjedisin është më e vështira nga të gjitha. Jemi ende prapa po të llogarisim ku duhet të mbërrijmë në një kohë shumë të shkurtër.
Duke qenë në nevojën për të rritur ekonominë, për punësim më cilësor, për të modernizuar infrastrukturën, nevoja për të mbrojtur mjedisin krijon tension. Uroj që më herët se vonë të kemi mundësinë të ritakohemi për të bërë një bilanc tjetër në zbatimin e reformës për të ngritur në tjetër nivel menaxhimin e pyjeve. Menaxhimi i pyjeve nuk është vetëm menaxhim, është art. /abcnews.al

