Para 19 vitesh, Griseldo erdhi si një bekim në familjen e Mamudie Alhasës nga Krasta e Martaneshit, si djali i parë pas 3 vajzave.
Nëna e tij, Mamudie tregon se 19-vjeçarin e solli në jetë pas 7 vitesh nga vajza e tretë dhe gëzimi ishte shumë i madh në familje, ndërsa me dhimbje kujton se pas 1 viti e gjysmë ata mësuan se Griseldo u diagnostikua me spektrin autik.
“Unë u ndjeva shumë keq, kur e zbuluam. E kam pas 3 vajzave, në shkollë në Kamëz vit i dytë për Informatikë. Është i prirur shumë pas kompjuterëve. Jam ndjerë keq se nuk kishim informacion për autizmin”, është shprehur nëna e Griseldos.
Griseldo edhe pse me aftësi ndryshe, dëshirat e prindërve për ta parë të barabartë mes të tjerëve bën që me shumë sakrifica të mos ia mohojnë të drejtën e arsimimit.
Ai sot është në vit të dytë në shkollë profesionale, për Informatikë, ndërsa në çdo hap që hedh, Mamudia është në krah të tij.
“Jam student për kompjuter Kamëz”, tregon Griseldo.
“E kam të vështirë se e marr e shoqëroj çdo ditë për në shkollë, tek qendra dhe te sportet, nuk e lej dot vetëm se nuk është i zoti vetes”, thotë më tej nëna.
“Kur shoh moshatarët që shkojnë e vijnë vetë e përjetoj këtë çdo ditë se mua më duhet ta shoqëroj”, shprehet nëna e Griseldos.
Griseldo është një djalosh me shumë energji, dhe pasioni i tij nuk është vetëm teknologjia, por edhe muzika.
“Mua më pëlqen shumë të bëhem këngëtar. Mua më pëlqen shumë të këndoj, Bujar Qamili”, thotë ai.
Psikologia Marsela Lekli që çdo ditë është në kontakt me personat me spektrin autik por, jo vetëm tregon se kjo kategori përcjell shumë dashuri, çka e zbeh edhe lodhjen.
“Unë punoj çdo ditë me këta dhe e di që aq vështirësi sa ka, ka edhe dashuri. Pra balancohen të dyja. Mesazhi im është që jo çdo dy prill ti duam, por, çdo ditë dhe ti duam mos ti diskriminojnë”, tregon Marsela Lekli.
Dashuria shëron çdo dhimbje, ndaj në Ditën Botërore të Autizmit, kush më mirë se nëna e Griseldos do e përcillte këtë mesazh kaq të ndjeshëm për personat autik.
“Këta fëmijë janë shumë të dashur, japin shumë dashuri, jap mesazh për prindërit forcë e dashuri”, shprehet nëna e Griseldos.
Në vendin tonë nuk ka shifra të sakta dhe as regjistër zyrtar në lidhje me këtë çrregullim. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë rreth 26% e fëmijëve me aftësi ndryshe janë me autizëm. Ndërsa referuar klubeve të prindërve të fëmijëve më autizëm, në Shqipëri janë afro 12 mijë persona që vuajnë nga spektri autik.