TIRANË- Në stadiumin “Air Albania” më 12 tetor Shqipëria luan ndeshjen më rëndësishme në kualifikueset “Euro 2024” përballë Republikës Çeke.
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho tha se lojtarët janë të kërkuar dhe janë gati për këtë sfidë shumë të rëndësishme.
“Në listë kemi 25 lojtarë dhe do ta përballojmë edhe me mungesat. Lista ka vetëm një ndryshim mungon Odise Roshi dhe është kthyer Armando Broja. Më vjen mirë që lojtarët janë në formë dhe luajnë me ekipet e tyre. Para ndeshjes me Çekinë, lojtarët janë të karikuar. Po mendojmë vetëm për këtë ndeshje. Çekia është një skuadër shumë e fortë, që nuk ka asnjë humbje dhe ka pësuar vetëm dy gola dhe duhet të shkojmë në këtë sfidë me mentalitetin e duhur. Çekia ka një grup cilësor, por edhe ne kemi një grup po aq cilësor dhe jam I lumtur”, tha ai.
I pyetur për llogaritë matematikore dhe se sa larg e shikon ecurinë e kombëtares, braziliani iu përgjigj gazetarëve me elegancë sportive. Ai theksoi se llogaritë duhet t’i bëjnë në muajin nëntor, pasi grupi është i fortë dhe ka ekuilibër.
“Që në fillim kemi thënë që llogaritë bëhen në nëntor. Më kujtohet që kemi thënë që është një grup i vështirë dhe i ekuilibruar se ka ndarje piksh, kemi ndeshje të vështira. Në këtë moment nuk mund të bësh llogaritë. Më vonë, ndoshta në nëntor po, duhet kjo apo jo. Kjo është ndeshje e vështirë . E vërtetë që luajmë në shtëpi, me njerëzit tonë, me atmosferë të jashtëzakonshme, por është e vështirë, mund të ndodhë gjithçka, si ndaj Polonisë. Ka kampionë në fushë, nga një anë dhe tjetra. Kemi lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Por është e vështirë, duhet përgatitur shumë mirë. Por çdo lloj llogarie bëhet vetëm në nëntor.”, tha ai.
Mes tjerash, trajneri brazilian tha se Kombëtarja duhet të jetë e bashkuar teksa shtoi se të gjithë lojtarët që ka grumbulluar me sfidën ndaj Çekisë dhe Bullgarisë, kanë rëndësinë e tyre.
“Ne kemi 25 lojtarë dhe të 25-të janë të rëndësishëm. Nuk kam vetëm 11 lojtarë, por duhet të jemi të gjithë të bashkuar”, shtoi tekniku brazilian./ n.m.abcnews.al