Presidenti i Bayern Munich, Herbert Hainer ka dhënë një intervistë për “Sport” në prag të superndeshjes në Champions League kundër Barcelonës.
“Ne kemi shumë respekt për Barçën. Personalisht besoj se futbolli spanjoll është një model për t’u ndjekur.
Edhe ne përfituam, kishim Pep Guardiolën si trajner. Barcelona kishte lojtarë të mrekullueshëm, Xavi, Iniesta, Pique, Busquets, Messi… dhe klubi është aq i madh sa do të vazhdojë të vendosë standarde dhe po ashtu po kthehet në nivelet e veta”, ka theksuar fillimisht Hainer.
Rikthimi i Lewandowskit në “Allianz Arena”? “Shpresoj, dhe është dëshira ime e madhe, që tifozët të jenë të sjellshëm me Robertin dhe të kenë një pritje miqësore, sepse ai luajti tetë vjet me ne, shënoi shumë gola dhe vendosi shumë ndeshje, falë dhe golave të tij ne fituam shumë tituj të mëdhenj.
Në fund, të gjithë morën atë që dëshironin, Roberti shkoi në “Camp Nou”, Barcelona është e lumtur që ka Lewandowskin dhe ne kemi bërë para për të investuar në të ardhmen tonë. Secili duhet të ndihet mirë me zgjedhjet e tij, shpresoj që tifozët tanë ti urojnë mirëseardhje polakut.” /f.a/abcnews.al