Sezoni veror, Balluku dhe Lleshaj në Morinë

schedule14:30 - 27 Prill, 2019

schedule 14:30 - 27 Prill, 2019

Strukturat shtetërore do të jenë të angazhuara për të përballuar fluksin e turistëve që do të vizitojnë vendin tonë gjatë sezonit veror. Ministri i Brendshëm Lleshaj dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Balluku, e dhanë këtë garanci nga pika kufitare e Morinës.

Pika kufitare e Morinës ka fluksin më të lartë të lëvizjes gjatë sezonit veror.  Në prag të tij ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku kërkuan nga autoritetet të shtohen masat në drejtim të pritjes dhe menaxhimit më të mirë të numrit të turistëve.

“Do të marrim masa në bashkëpunim edhe me autoritetet e Kosovës që ta kompensojmë me masa të shtuara sigurie këtë liri të lëvizjes, që po rritet përditë e më shumë. Duke qenë se jemi edhe në prag të sezonit turistik, unë gjej rastin të kërkoj nga autoritetet dhe t’i inkurajoj ato, për të shtuar masat në drejtim të pritjes dhe menaxhimit sa më të mirë të fluksit të turistëve, me qëllim që ai të rrjedhë i lirshëm por edhe i sigurt. Të shtohet ato masa që tradicionalisht janë ndërmarrë për patrullimin e përbashkët, për kontrollin e përbashkët e çështje të tjera”.

Për të ulur kohën e pritjes së qytetarëve që duan të kalojnë kufirin ministrja Balluku bëri të ditur se do te aplikohen shërbimet e integruara.

Ndërkohë për të lehtësuar lëvizjen e automjeteve në fund të Qershorit pritet të përfundojnë dhe punimet përgjatë rrugës Kukës –Morinë.

 “Fokusi kryesor në zonën e Kukësit është infrastruktura. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po investon në aksin Kukës-Morinë dhe shpresojmë që shumë shpejt, brenda fundit të muajit qershor, të gjitha punimet e nisura të përfundojnë për të qenë gati dhe për sezonin dhe për ngarkesën e trafikut që kjo rrugë ka”. 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal edhe punimet në aeroportin e Kukësit ndërsa u shpreh se investimi do jetë gati brenda afateve të parashikuara. Aktualisht po punohet për zgjerimin e pistës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!