Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se institucionet shtetërore kanë marrë masa të shtuara për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik veror, përballë rritjes së vazhdueshme të numrit të pushuesve në vend.
Në një konferencë për mediat, ai theksoi se Policia e Shtetit do të ketë prezencë të shtuar në zonat bregdetare dhe malore, ndërsa do të organizohen edhe patrullime të posaçme 12-orëshe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Lamallari nënvizoi gjithashtu se Shqipëria po spikat gjithnjë e më shumë për kapacitetet e saj policore, duke veçuar funksionalitetin e plotë të policisë detare dhe kufitare. Sipas tij, këto struktura do të jenë të fokusuara veçanërisht në sigurinë e plazheve dhe monitorimin e vijës bregdetare gjatë gjithë sezonit veror.
“Kemi parë nga vitit në vit, kemi parë fluks të pushuesve. Si policia e Shtetit ashtu edhe struktura të shtetit kanë marrë masat përkatëse, si garantimin e sigurisë, por edhe mikpritjen dhe siguria totale në territor. Kjo është shtuar me shtim të pranisë policore, në zonat bregdetare dhe zonat malore.
Do kemi patrullim të veçanta dhe patrullime 12 orëshe. Shqipëria gjithnjë dhe më shumë po spikat për aftësitë policore. Nga ana tjetër, një element tjetër është funksionaliteti i plotë i policisë detare dhe kufitare. Ku do të dëshmojnë kapacitetet e tyre me në fokus të veçantë plazhet e Shqipërisë”, u shpreh ministri Lamallari.


