Sezoni turistik, 100 mijë persona më shumë se në 2019-ën, policia shton masat në Rinas

schedule10:47 - 19 Gusht, 2021

schedule 10:47 - 19 Gusht, 2021

Rinas/Masa të shtuara për përballimin me sukses të fluksit gjatë sezonit turistik dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Nga 1 korriku deri sot, nëpërmjet pikës së kalimit të kontrollit kufitar në aeroportin e Rinasit kanë hyrë mbi 100.000 shtetas shqiptarë e të huaj më shumë se në vitin 2019.

Paraditen e sotme, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit Eduart Merkaj ka parë nga afër zbatimin e masave lehtësuese të marra nga Policia Kufitare e Rinasit, për të përballuar fluksin e madh në hyrje të turistëve dhe shtetasve shqiptarë që janë rezident në vende të ndryshme të BE-së, të cilët vijnë për pushime dhe turizëm në vendin tonë.

Merkaj ka biseduar me drejtuesit dhe punonjësit e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, për përballimin me sukses të fluksit shumë të madh në hyrje të turistëve dhe shtetasve të ndryshëm që kanë zgjedhur vendin tonë për pushime.

“Eduart Merkaj: Që me lehtësimin e kushteve për të hyrë në vendet e BE-së, fluksi ka qenë në rritje, krahasimisht edhe me 2019 që ka qenë një vit relativisht me shumë fluks.

Vetëm në Komisariatin e Rinasit, nga data 1 korrik deri sot, ka një rritje prej 100 mijë personash. Kjo rritje nuk është parë vetëm në Rinas, por në të gjitha pikat e kalimit kufitar ka një fluks të shtuar. Kryesisht hyrja është për arsye turizmi, ndërsa pjesa tjetër e personave që duan të hyjnë në Shqipëri janë për arsye pune ose për arsye të tjera të ndryshme.

Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat dhe është përgatitur Plani i Masave i detajuar për secilën drejtori vendore të kufirit dhe të emigracionit, ashtu edhe për çdo komisariat të Policisë Kufitare, ku janë bërë të qarta të gjitha detyrat funksionale që ka çdo punonjës policie i kufirit dhe i migracionit. Përveç kontrollit të personave që kalojnë apo lehtësimit të procedurave për secilin shtetas që hyn apo del në Republikën e Shqipërisë, detyrim është edhe parandalimi i krimeve ndërkufitare.

Për këtë periudhë që po flasim kemi dhe një rritje të goditjes përsa i përket krimeve ndërkufitare, kjo duke filluar që nga personat në kërkim të kapur në të gjitha pikat e kalimit kufitar, të cilët kanë qenë në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar, goditja e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike, nga persona të cilët kanë qënë në hyrje apo në dalje në pikat e kalimit kufitar, deri te përdorimi i dokumenteve të falsifikuara në pikat e kalimit kufitar.

Janë marrë masat nga ana jonë që të jetë një kontroll sa më i saktë, sa më i rreptë i kufirit të gjelbër, gjithashtu të ketë një kontroll sa më rigoroz në kufirin blu, në kufirin detar.

Gjithashtu, patrullat të cilat janë në funksionalitet 24/7 në kufirin detar bëjnë kujdesjen për pjesën e pushuesve, duke marrë masa që të krijohen kushte sa më komode që të kenë një pushim sa më të qetë në Republikën e Shqipërisë. Polica Kufitare merr dhe masat administrative për cilindo nga ata shtetas që kanë mjete lundruese ose mjete argëtuese siç janë motorët e ujit, që ata të zbatojnë çdo lloj procedure standarde që është e përcaktuar.

Ne kemi bërë të mundur që në fillimin e sezonit turistik t’u shpërndajmë shtetasve shqiptarë dhe atyre të huaj, që kur hyjnë në pikat e kalimit kufitar, detyrimet që ka secili nga shtetasit, si dhe të drejtat që kanë kur hyjnë si pushues në Republikën e Shqipërisë.

Për krimet ndërkufitare dhe jondërkufitare gjithë Policia e Shtetit ka një plan të përbashkët masash. Secili prej departamenteve, në bazë të detyrave funksionale që ka, ka marrë detyrimet dhe është i detyruar t’i zbatojë.

Kështu që ne të kemi një bashkëpunim shumë të mirë, qoftë në shkëmbimin e informacionit në kohë reale, qoftë edhe në goditjen e rasteve që i kemi patur këto ditë. Në disa prej pikave kryesore të hyrjes në Republikën e Shqipërisë, janë edhe task-forcat që tanimë janë të miratuara, janë të ngritura, janë funksionale 24 orë. Kështu që të gjithë jemi të angazhuar përsa u përket goditjes se këtyre krimeve, jo vetëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, por edhe në krimet e tjera që mund të mundohen nga element keqbërës apo persona me precedent kriminal, për të kryer në Republikën e Shqipërisë apo kufirin e Republikës së Shqipërisë.

Unë i garantoj të gjithë shtetasit, në emër të Policisë së Shtetit dhe të Policisë Kufitare, që ne po bëjmë maksimumin që të godasim çfarëdolloj krimi ndërkufitar apo më tej që mund të konstatohet.

Me homologët, kryesisht me shtetet që ne kufizohemi, me shtetet që kemi kufi, pra me këto shtete që në fillim të sezonit ne kemi filluar të shtojmë patrullimet e përbashkëta në kufirin e gjelbër. Në kufirin blu tashmë në funksion të operacionit FRONTEX janë të atashuar edhe dy mjete fluturuese, të cilat patrullojnë dhe ato me orar të përcaktuar me Policinë e Shtetit dhe për këtë themi se është një situatë më e monitorueshme duke qënë se edhe kolegët e FRONTEX-it, edhe kolegët e vendeve me të cilët kufizohemi jemi të gjithë bashkë dhe punojmë për të njëjtin qëllim.

Policia Kufitare, bashkë me Policinë e Rendit, kanë bashkëpunuar në shumë raste këtë vit, për të shpëtuar pushues të ndryshëm të cilët kanë rrezikuar të mbyten apo turistë në turizmin malor, që kanë ngecur në zona që kanë qenë jashtë parashikimit të tyre. Kemi bërë operacione dhe i kemi shpëtuar ata.

Duhet të jemi bashkë që të marrim përsipër dhe të drejtat dhe detyrimet e gjithësecilit për një sezon turistik shumë të qetë dhe sa më frytdhënës për Shqipërinë”.

Përgjatë sezonit turistik, nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas janë kapur 13 persona të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si dhe jane proceduar gjithsej 40 shtetas, 11 prej tyre për falsifikim dokumentesh. /abcnews.al/