Danilo është kthyer në një titullar fiks të Juventusit dhe është një nga lojtarët më në formë. Mbrojtësi i djathtë brazilian ka luajtur në disa takime edhe në qendër të mbrojtjes, teksa po luan edhe si anësor i majtë. 29-vjeçari ka prekur disa tema gjatë prononcimit për TNT Brasil.
“Që prej momentit kur u largova nga Porto (2015), ky është sezoni ku kam më shumë vazhdimësi dhe kjo është ajo që po kërkoja. Jam i lumtur me momentin që po kaloj, gjithmonë dua të luaj sa më shumë. Nuk jam një lojtar që ka nevojë të pushojë.
Kjo është një nga fazat më të mira të karrierës time dhe ndihem mirë që po më ndodh në një klub të rëndësishëm si Juventusi. Dua t’ua shpërblej besimin që kanë pasur tek unë. Aktivizimi në krahun e majtë të mbrojtjes? Aspak problem për mua, e kam bërë edhe më parë.
Në Itali ka një tjetër pikëpamje ndaj futbollit dhe më duhet të përshtatem. E di që nuk mund të luajë në sulm, por më duhet të mbuloj të gjitha pozicionet në prapavijë. Ndihem mirë në pozicionin e ri, jam i lumtur që trajneri ka menduar zgjidhje për mua.
Pirlo? Mendoj se Andrea pasqyron shumë atë që ishte si futbollist. Ai i ka pasur idetë e qarta që në fillim, kjo është një pikë e fortë për të siguruar mbështetjen e gjithë grupit. Ai është shumë i aftë në shpjegimin e ideve të tij dhe të gjithë ne e ndjekim nga pas. Duam të mbërrijmë në finalen e Champions“, përfundoi Danilo. /abcnews.al