Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa në një bisedë me Juli Xhokaxhi në ABC ka folur për efektet që pandemia ka pasur në ekonominë shqiptare, ekonominë informale, sistemin tonë bankar si dhe rëndësinë që ka sektori i turizmit.
Duke folur për ekonominë informale, Xhepa tha se efektet e parasë që vijnë nga bota e krimit nuk janë të dobishme për ekonominë.
“Paraja që vjen nga bota e krimit nuk shkon për t’u përdorur aty ku zgjedhoret baza prodhuese. Investimet në ndërtim dhe këto sektorë që nuk e zgjerojnë kapacitetin prodhues të ekonimisë nuk konsiderohen fitimprurëse.”
Sipas ekspertit, këto para që vijnë nga informaliteti shtrembërojnë tregun dhe konkurrencën e ndershme dhe ata që penalizohen janë investitorët që paguajnë të gjitha taksat konform ligjit.
“Elementi i tretë, një pjesë e kësaj paraje informale mbetet në shtëpi nuk vendoset në qarkullim ekonomik…mendoj që në terma afatgjatë është thellësisht negative.”
Ndërsa, duke folur për sistemin bankar në Shqipëri, Selami Xhepa tha se financimi kryesor i tyre janë depozitat e shqiptarëve dhe se problemi i tyre nuk ka qenë asnjëherë mungesa e likuiditetit.
Problemi kryesor me bankat, sipas Xhepës, është se ato operojnë me marzhe shumë të larta sigurie dhe kjo mund t’i stepë disi investitorët.
“Me rritjen e konkurrencës në industrinë bankare, hapësirat për konsolidim të bankave janë shumë të mëdha. Shqipëria i vendos bankat në një vend të favorshëm. Nuk ka asnjë alternativë tjetër. Depozitat e qytetarëve në sistemin bankar janë 10 miliardë euro, prej tyre kredi për ekonominë janë 6 miliardë euro. Financimi kryesor është nga depozita e shqiptarëve 100 për qind. Problemi kryesor i bankave shqiptare nuk ka qenë kurrë mungesa e likuiditetit. Mungesa e oportuniteteve ekonomike. Bankat operojnë me marzhe shumë të larta sigurie. Çmimi i kredisë luan rol dhe investitorët bëhen hezitues për t’iu drejtuar bankave.”
Me ardhjen e sezonit veror, sytë tashmë janë kthyer nga turizmi dhe të ardhurat që ai sjellë për vendin. Megjithatë, Xhepa thotë se nuk mund t’i mbajmë shpresat te numri i turistëve që vizitojnë vendin. Kjo pasi, sipas tij, shpenzimet që duhen bërë për mirëmbajtjen e turizmit janë të mëdha.
“Të ardhurat e turizmit dhe eksporti i shërbimeve janë thuajse të barabarta me atë të mallrave. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Aq të ardhura sa marrim nga sektori i industrisë. Është një bazë shumë e rëndësishme për ekonominë. Por, nëse mendojmë më afatgjatë, e ardhmja e turizmit nuk është masivizimi, se duhet të menaxhojmë mbetjet. Shpenzimet që duhet të bëjmë për mirëmbajtjen e turizmit janë shumë të mëdha.”
Sipas tij, një zgjidhje do të ishte taksimi i turistëve për mbetjet. sb/abcnews.al/