Sërish tension në marrëdhëniet Ankara-Athinë

schedule14:58 - 6 Qershor, 2018

schedule 14:58 - 6 Qershor, 2018

Disa avionë luftarakë të Turqisë kanë shkelur hapësirën ajrore greke, pasi drejtësia helene liroi nga paraburgimi 8 ushtarët turq, që u arratisën pas grushtit të dështuar të shtetit. Ministri grek i mbrojtjes, tha se retorika e ashpër e Ankarasë, do të diskutohet në takimin e NATO-s.

Vijojnë tensionet mes Ankarasë dhe Athinës. Mediat e dy vendeve raportojnë se disa avionë të Turqisë kanë hyrë qëllimisht në hapësirën ajrore të Greqisë, pasi drejtësia helene vendosi të lirojë nga paraburgimi 8 ushtarët turqë që u arratisën nga vendi pas grushtit të dështuar të shtetit me 15 korrik të 2016-ës. Për këtë vendim të palës greke erdhi edhe një reagim i ashpër i zëvendëskryeministrit turk, Bekir Bozdag.

“Është detyra jonë që të gjejmë ushtarët puçistë kudo që janë, duhet t’i paketojmë ata dhe t’i sjellim në Turqi”, u shpreh Bozdag ndërsa sulmoi kryeministrin grek Aleksis Tsipras për mosdorëzimin e ushtarëve që fluturuan nga Ankaraja për në hapësirën ajrore greke me anë të një helikopteri në 2016. Zyrtarit të qeverisë turke iu kundërpërgjigj ministri grek i mbrojtjes, Panos Kammenos.

Ai tha se ka në plan të njoftojë homologët e tij në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s të enjten lidhur me deklaratat kontroverse të zëvendëkryeministrit Bozdag. Kammenos tha më tej se komentet e zyrtarit turk, do t’i lejojnë Greqisë që të tregojë në mënyrën më të thjeshtë se si Turqia shkel ligjet ndërkombëtare, traktatet ndërkombëtare dhe se si përpiqet të pengojë përpjekjet për jetëgjatësi paqësore në rajon. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!