Autoritetet daneze kishin paralajmëruar më parë se ngjarja në Kopenhagen ishte sulmi më serioz ndaj infrastrukturës kritike të vendit dhe e lidhën atë me një seri dyshimesh për ndërhyrje me dronë rusë dhe përplasje të tjera nëpër Evropë.
Ngjarje të ngjashme ndodhën edhe në Oslo të Norvegjisë, ku hapësira ajrore u mbyll për tre orë pas shfaqjes së një droni të hënën në mbrëmje.
Autoritetet raportojnë se disa dronë janë parë pranë aeroportit të Aalborgut, rreth orës 21:44 lokale të mërkurën, 24 shtator.
“Është herët për të thënë cili është qëllimi i dronëve dhe kush qëndron pas tyre”, deklaroi një zyrtar i policisë, shkruan The Guardian.
Eurocontrol, që mbikëqyr trafikun ajror në Evropë, ka njoftuar po ashtu se nuk ka pasur fluturime në aeroportin e Aalborgut deri në orën 04:00 të së enjtes, për shkak të aktivitetit të dronëve në zonë.
Policia konfirmoi se po vijon me hetimet në terren dhe se nuk ka rrezik për pasagjerët apo banorët e zonës.
Tre fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera.