Nga Hergi Llupi
Janë luajtur 7-të nga 10 sfida të Serie A këtë fundjavë.
Ajo që vihet re është se beteja për t’u pozicionuar në top vendet e katërta të kampionatit dhe dukshëm jep një shfaqje “lufte” mes 6 skuadrave. Duke mos lloagritur Napolin, Juventus, Lazio, Inter, Milan, Atalanta dhe Roma luftojnë së bashku për t’u pozicionuar në katër vendet e para të tabelës.
Gjithçka mbetet e hapur deri në përfundim të sezonit, pasi skuadrat po ndjekin njëra-tjetrën hap pas hapi, por vetëm tre skuadra nga gjashtë do të munden të pozicionohen për një vend në Champions sezonin e ardhshëm. Distanca me pikë nuk është shumë e madhe, por hapi më i vogël fals ndikon shumë për secilën prej tyre.
Të parët që e hapën këtë raund përkatës të kampionatit italian ishte Milani në një përballje të vështirë ndaj Lazios në “San Siro”, por që në fakt nuk rezultoi problem për “djajtë” e Milanos. Kuqezinjtë e Piolit triumfuan me rezultatin 2-0 dhe kështu kanë arritur të marrin tre pikë me vlerë. Kjo fitore ishte me peshë të madhe për Milanin pasi edhe vetë sfida ishte një ndeshje direkte për një pozicion në Champions League sezonin e ardhshëm. Aktualisht, Milan ndodhet në vendin e pestë me 61 pikë, ndërsa Lazio në vendin e tretë me 64 pikë.
Skuadra tjetër e Milanos, Interi, arriti të merrte një fitore tepër të rëndësishme kundër Romës në Olimpico.
Zikaltërit e Inzaghit mposhtën kryeqytetasit me rezultatin 0-2 falë golave të Dimarco dhe Lukaku. Për Interin kjo ishte një fitore tepër e rëndësishme, pasi tre pikët e fiutuara e pozicionojnë në vendin e katërt të tabelës, pra në zonën Champions me 63 pikë, ndërsa Romë renditet në vendin e shtatë me 58 pikë.
Juventus gjithashtu ka marrë një fitore me peshë të madhe për të tentuar të blindojë vendin e dytë në kampionat. Ashtu si dy ekipet e Milanos, edhe Juventus ka fituar me shifrat 0-2 ndaj Atalanta në Bergamo. Kjo fitore e bardhezinjve ka bërë që të pozicionohen përpara Lazios në klasifikim, duke u renditur në vendin e dytë me 66 pikë, ndërsa Atalanta nga ana tjetër është në vendin e gjashtë me 58 pikë.
Për Napolin ka mjaftuar vetëm një gol nga Osimhen përballë Fiorentina në “Maradona Stadio”. Skuadra kampione e Italisë nuk ka shpenzuar shumë energji dhe një fitore ka mjaftuar për të ndryshuar prefiksin në pikët e tabelës. Fiorentina me këtë humbje ndodhet në vendin e tetë me 46 pikë.
Sfidat e tjera në këtë fundjavë ishin Leçe-Verona e cila përfundoi me shifrat 0-1 për verdheblutë, Torino dhe Monza u ndanë në barazim, Cremonese mposhti Spezia 2-0.
Ditën e sotme do të luhen tre përballjet e mbetura të kësaj jave. Empoli do të presë në shtëpi Salernitana në orën 18:30, Udinese-Sampdoria në orën 18:30 dhe Sassuolo-Bologna në orën 20:45./ h.ll/abcnews.al