Serena Leka, shqiptarja që trajnon ekselentët në të gjithë botën

schedule08:18 - 23 Maj, 2022

schedule 08:18 - 23 Maj, 2022

Janë të shumtë shqiptarët që kanë shënuar sukses nëpër botë. Ndër ta është dhe Serena Leka, vajza nga Puka, e cila sot është lektore në Universitetin e Aarhusit në Danimarkë. Serena mbaroi studimet për financë në Fakultetin Ekonomik. Studimet master i kreu në Danimarkë, ku dhe jeton prej disa vitesh.

Në vitin 2019, Serena u vlerësua me çmimin e parë në “Samitin Global të Inovacionit” në Kinë. Gjatë intervistës që dha për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, kur u pyet se përse zgjodhi për të studiuar këtë universitet në Danimarkë, Serena tregoi se arsyeja lidhej me bursën që fitoi.

“Nuk kisha asnjë lloj check list se ku do të shkoja. Ishte zgjedhje e bazuar në një faktor që ishte bursa. Kisha aplikuar në universitet të tjera, ajo që doli më herët e pranova dhe ika. E rëndësishme ishte të ndiqja një studim master në një universitet elitë në botë por nuk kisha preferencë në çfarë shteti.”, tha ajo.

Falë rezultateve të mira, Serena u punësua në këtë universitet. Ajo tregoi se fokusi i saj është ndihma e sipërmarrjeve të reja dhe startup-eve. Ndër të tjera, ajo rrëfeu se në fillim donte që të bëhej dentiste, por më pas me angazhimin dhe në biznesin familjar, mendoi se drejtimi më i duhur do të ishte financa.

“Doja të bëhesha dentiste. Në momentet para zgjedhjes, mendova se ishte më mirë që të studioja financë në atë kohë në fakultetin e ekonomisë. Më pas kuptova se ishte një zgjedhje e duhur, dhe përfshirja që kisha në projektet familjare, tregonin se më jepej që të përmirësoja dhe të rregulloja gjërat e biznesit.”, tha ajo.

Serena është gjithashtu një aktiviste e zëshme e të drejtave të njeriut në Shqipëri. /abcnews.al