Aleksandar Vuçiç deklaroi i shqetësuar se popullsia e vendit të tij po bie me ritme të shpejta. Madje, presidenti serb duket e konsideron gjendje aq alarmante sa arriti të bënte një pohim shumë të fortë: Serbia, sipas tij, po zhduket si komb.
Për këtë arsye, Vuçiç njoftoi se do të trefishohet shuma për nënat që lindin për herë të parë, duke shkuar që nga janari në 2.550 euro shkruan Bloomberg.
Po kështu, do të rritet ndihma ekzistuese për familjet që kanë më shumë fëmijë.
“Jemi më pak çdo ditë që kalon, duhet të shtojmë fëmijët”, ishte komenti i kreut të shtetit serb.
Sipas tij, mirë është që çdo familje të ketë minimumi dy fëmijë, ose më shumë. Po kështu, ofrohet mbështetje për nënat që lindin fëmijën e tretë apo të katërt.
Për fëmijën e tretë, ato do të marrin nga 85 euro në muaj për 10 vjet rresht, ndërkohë për fëmijën e katërt do të përfitojnë 150 euro në muaj për 12 vjet.