Ish-ambasadori Haki Abazi tha se krijimi i Dhomave të Specializuara dhe pranimi i dialogut me Serbinë janë dy nga vendimet më të rënda dhe më të dëmshme për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë.
Sipas tij, fokusimi i Gjykatës te krerët e UÇK-së ishte një gabim strategjik që e vendosi Kosovën në një pozitë të padrejtë, ndërsa Serbia nuk u përball me dënimin e merituar për krimet e kryera gjatë luftërave në rajon.
Abazi paralajmëroi se në rast të dënimeve të mundshme, vendi mund të përballet me nevojën për një proces të ri politik e historik për të ripërcaktuar narrativën e luftës dhe të shtetformimit.
“ Jam i rezervuar të diskutoj për procesin dhe gjykatën, sepse në historikun e shtetit nuk ka një moment më të komplikuar sesa vetë ekzistenca e Dhomave të Specializuara. Unë kam qenë në Neë York kur është marrë vendimi për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe Gjykatës Speciale. Krijimi i kësaj gjykate dhe pranimi i dialogut me Serbinë pas vendimit të Këshillit të Sigurimit janë dy gurë të mëdhenj që i janë hedhur Kosovës në qafë. Të dyja ishin të pamenduara dhe kjo na jep shkas të diskutojmë për fenomenet që pasuan.
Kroacia kaloi në një proces të tillë para nesh, por ne nuk arritëm të nxjerrim mësimet e duhura. Serbia as përafërsisht nuk u akuzua me numrat që do të duhej për krimet e kryera. Një Serbi që nisi pesë luftëra dhe shkaktoi mbi 300 mijë vrasje mbeti pa dënimin e merituar. Pranimi dhe kalimi i Gjykatës si vendim i Parlamentit të Kosovës janë dy momente të pafalshme. Lobime të ndryshme, përfshirë edhe përfitime monetare dhe miliona euro të shpenzuara, kanë sjellë situatën që Kosova të mos merret me vetveten.
Kosova ka bërë një luftë të drejtë, megjithatë luftërat nuk janë të pastra. Në luftë ndodhin gjëra që shkaktojnë dhimbje dhe humbje. Nuk do të kishte asnjë arsye të ndërtohej një gjykatë kundër shqiptarëve, kur që nga viti 1997 jemi organizuar për të luftuar Serbinë dhe format e gjenocidit të saj. Ideja që UÇK-ja u soll në bankën e të akuzuarve ishte një goditje për Kosovën, pasi asnjëherë më parë nuk ishte gjykuar UÇK-ja si e tillë.
Krijimi i Dhomave të Specializuara u fokusua te krerët e UÇK-së dhe në këtë mënyrë ramë në kurthin tonë. Është një çështje shumë e rëndë dhe e komplikuar. Problemi është se çfarë ndodh nëse realizohet ajo që paralajmërohet nga disa vëzhgues, pra nëse ka dënime; atëherë Kosovës do t’i duhet një proces i ri për të ripërcaktuar narrativën e luftës dhe të shpalljes së pavarësisë.” / abcnews.al /


