Serbia nis nga 19 janari vaksinimin e popullsisë për Covid-19

schedule18:47 - 18 Janar, 2021

schedule 18:47 - 18 Janar, 2021

Serbia fillon të martën (19 janar) vaksinimin masiv kundër koronavirusit, ka thënë kryeministrja serbe, Ana Bërnabic. Ajo në qytetin Ub, në perëndim të Serbisë, tha se në këtë fazë do të vaksinohen mësimdhënësit, pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë si dhe gazetarët.

“Ne tashmë kemi filluar të ftojmë njerëzit që kanë shprehur interes të vaksinohen. Ju lutemi aplikoni sa më shumë dhe më shpejt në mënyrë që ta kryejmë këtë proces në mënyrë efikase dhe t’i kthehemi jetës normale”, tha kryeministrja Bërnabic.

Branko Ruzhic, zëvendëskryeministër dhe ministër i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, tha se vaksinimi i mësimdhënësve në Serbi është me përparësi pasi ata janë një pjesë e rëndësishme për funksionimin e shoqërisë.

Serbia ka aktivizuar një portal online ku qytetarët mund të regjistrohen dhe të zgjedhin se me cilën vaksinë dëshirojnë të imunizohen.

Serbia deri më tani është furnizuar me vaksinën e Pfizer/BioNtech, atë ruse Sputnik V dhe vaksinën kineze Sinovac Biotech.

Mbi 20,000 qytetarë serbë deri më tani janë vaksinuar kundër koronavirusit, që prej se fushata e vaksinimit nisi në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Në Serbi, fillimisht janë vaksinuar më të moshuarit që jetojnë në shtëpi të pleqve dhe punëtorët shëndetësorë. /REL/