Serbia kundër Vuçiç

schedule15:02 - 27 Janar, 2019

schedule 15:02 - 27 Janar, 2019

Protestës së qytetarëve serbë kundër presidentit Aleksandër Vuçiç u janë bashkuar edhe akademikë e gjyqtarë. Njëzëri, ata e kanë quajtur Vuçiç një diktator që ka mohuar demokracinë, drejtësinë dhe sistemin shumëpartiak.

“Serbia qytetarëve, Vuçiç në burg”. Kjo është porosia që mijëra qytetarë serb i kanë çuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kanë dalë sërish në rrugë të rrethuar nga dëbora dhe acari i temperaturave nën minus. Këtë protestë e kanë mbështetur një grup i akademikëve dhe profesorëve universitar. Ata e quajnë Vuçiç një diktator.

Çedomir Çupiç, profesor universitar: “Nuk duhet të heshtim, duhet t’u bashkohemi qytetarëve. Ky është një okupator dhe në këtë shtet ka mohuar mundësinë e demokracisë, ka mohuar drejtësinë, ndarjen e pushtetit, sistemin shumëpartiak dhe mediat e lira e profesionale”.

Zoran Ivosheviç, gjykatës: “E vetmja mënyrë për të kthyer këtu rendin, ligjin dhe kushtetutën është largimi i Vuçiç nga pushteti”.

Protestuesit thonë se Vuçiç ka futur nën kontroll shumicën e mediave dhe shoqërinë. Tek gazeta më e vjetër “Politika” i mbyllën derën me mbishkrimet e censuruar dhe më pas vazhduan para televizionit publik që, siç thonë, asnjëherë nuk fton opozitën. Para qeverisë e akuzuan për marrëveshje të fshehta me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!