Serbia kërkon ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së

schedule16:40 - 30 Korrik, 2019

schedule 16:40 - 30 Korrik, 2019

Autoritetet serbe kanë dërguar kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë në Shkup, për ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së Tomor Morinës, të arrestuar në Maqedoninë e Veriut sipas një urdhri të Interpolit. Ndërkohë ne vend vijojnë debatet për arrestimin e tij.

Ministria serbe e Drejtësisë i ka dorëzuar kërkesë Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së Tomor Morinës-kanë njoftuar mediat serbe. Morina ishte arrestuar javën e kaluar në një vendkalim kufitar të Maqedonisë, sipas një urdhri të Interpolit.

Ai nga Serbia kërkohet nën dyshimin  se ka kryer krime lufte kundër civilëve serbë. Kryeministri Zaev duke komentuar këtë rast ka lënë të kuptohet se duhet të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe vendore dhe se Morina i ka të gjitha të drejtat.

Por, nga ana tjetër Zv/Kryeministri Bujar Osmani ka theksuar se personalisht është i angazhuar për lirimin e Morinës dhe se në cilësinë e mikut të Kosovës do ta vizitojë ish-ushtarin e UÇK-së që gjendet në arrest në Shkup.

Bujar Osmani: Për momentin unë pres një përgjigje, kam një kërkesë zyrtare deri tek gjykatësja që ka lëndën që më lejon të vizitoj zotin Morina dhe unë besoj se gjatë ditës do të shkoj deri te institucioni për të vizituar atë për shkak se kemi një mos koordinim të avokatit të tij, kërkesës për ekstradim e kështu me radhë.

Vendimin përfundimtar sipas kërkesës së Serbisë duhet ta merr Ministria e Drejtësisë. Ndryshe, arrestimi i Morinës ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Ejup Alimi e krahasoi Kryeministrin Zaev me Milosheviçin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!