Serbia do të tërheqë njohjen për Maqedoninë, nëse mbështet Prishtinën

schedule12:43 - 15 Dhjetor, 2017

schedule 12:43 - 15 Dhjetor, 2017

Serbia po merr masa në rast se Shkupi do të mbështesë Prishtinën në institucione ndërkombëtare. Mediat serbe shkruajnë se Serbia do të vendosë të ndryshojë njohjen e emrit të vendit fqinj si “republika e Maqedonisë”. Kjo lëvizje e Beogradit ka të bëjë me synimin e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev për të votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

E përditshmja serbe “Vecernje Novosti” raporton se Beogradi po monitoron me kujdes lëvizjet e Maqedonisë dhe qasjen ndaj anëtarësimit të Prishtinës në organizata ndërkombëtare. Burime nga qeveria serbe thonë se do të sillen në të njëjtën mënyrë që Shkupi do të sillet ndaj interesave kombëtare serbe

Autoritetet në Prishtinë do të kenë mundësinë të përpiqen për anëtarësimin në Unesco brenda dy vitesh pas dështimit në vitin 2015. Dhe atëherë Shkupi votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës.

Gjithësesi e përditshmja serbe shkruan se Beogradi mund të aktivizojë principin e reciprocitetit në marrëdhëniet diplomatike dhe politike me Shkupin, në 2018-ën. Në një kohë që Kosova ka deklaruar se po këtë vit do të kërkojë anëtarësimin në Interpol.

Pak ditë më parë Zaev ndodhej në Prishtinë ku u takua me homologun kosovar Ramush Haradinaj, dhe duke buzëqeshur tha se Kosova mund të mbështetet tek Maqedonia për të gjitha proceset, por duke pranuar se Serbia është fqinje e Maqedonisë.

Ministri i jashtëm serb Ivica Dacic komentoi këtë deklaratë të kryeministrit maqedonas si një provë më shumë të hipokrizisë së tij dhe të qeverisë së Shkupit. Ai shtoi se Serbia do të dijë të reagojë ndaj këtyre mesazheve.

Edhe ministri serb i mbrojtjes Aleksandër Vulin reagoi duke thënë se Zaev nuk di të respektojë miqësinë e Serbisë dhe theksoi se presidenti Aleksandar Vucic kishte të drejtë kur tha se kryeministri maqedonas nuk do e mbante fjalën e tij./abcnews.al