Serbia akuzon Milan Kuçan për krime lufte

schedule19:18 - 27 Qershor, 2019

schedule 19:18 - 27 Qershor, 2019

Sipas mediave serbe, Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka ngritur aktpadi ndaj ish-presidentit të Sllovenisë Milan Kuçan. Ky i fundit akuzohet për konfliktin e armatosur mes forcave që luftonin për shkëputje nga Jugosllavia dhe ushtrisë e policisë jugosllave.

Ky është 78-vjeçari Milan Kuçan, ish-lideri komunist slloven dhe në dy mandate, President i Sllovenisë. Në hapësirat ish-jugosllave njihet si një ndër politikanët që doli botërisht kundër kursit politik të Slobodan Milosheviçit, shkëlqimi i të cilit nisi me veprime që çuan në suprimin e autonomisë së Kosovës, luftën atje dhe që përfundoi me dërgimin e tij në Gjykatën e Hagës.

Këtë të enjte, sikurse njofton e përditshmja Politika e Beogradit, Prokuroria serbe për Krime të Luftës, kundër zotit Kuçan, por edhe pesë sllovenëve të tjerë, ka bërë kallëzim penal për gjoja krime lufte mbi robërit e luftës dhe për gjenocid në verën e vitit 1991, kur nga 27 Qershori e deri më 7 Korrik u zhvilluan konflikte të armatosura në territorin e Sllovenisë, mes forcave që luftonin për shkëputje nga Jugosllavia, nga njëra anë dhe ushtrisë e policisë jugosllave, nga ana tjetër.

Avokati Dushan Bratiç ka bërë të ditur se aktakuza e ngarkon zotin Kuçan se si president i Sllovenisë kishte pasur pushtetin efektiv komandues mbi formacionet e armatosura dhe si i tillë radhitet, sikurse tha ai, ndër kryekriminelët e shpërbërjes së Jugosllavisë.

Duke folur këto ditë për një televizion të Sarajevës, transmeton Klan Macedonia se zoti Kuçan, tri dekada pas fillimit të shpërbërjes së ish-federatës jugosllave, i pyetur se si e shikonte rolin e tij, la të kuptohet se nuk ishte bërë pishman.

“Për çka ndjehem përgjegjës? Ndjehem përgjegjës pse nuk munda të të fitoj sa duhet me argumente se atij vendi që quhej Jugosllavi i kishte ardhur fundi dhe se duhej të merremi vesh për një epilog paqësor”, tha Kuçan duke rikujtuar se edhe Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, edhe Jugosllavia e Titos ishin krijesë artificial.

Shpërbërjen e kësaj të fundit, tha ai e përshpejtoi armata e atëhershme jugosllave, por edhe Akademia Serbe të Shkencave dhe Arteve, përmes Memorandumit të saj.

Milan Kuçan para shkatërrimit të Jugosllavisë ishte në ballë të Lidhjes së Komunistëve të Sllovenisë dhe kryetar i Presidencës së kësaj republike. Pas pavarësimit më 1991 e deri në vitin 2002, në dy mandate ishte në postin e Presidentit të vendit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!