Qytetarët serbë në veri të Kosovës bojkotuan referendumin e mbajtur të dielën për shkarkimin e 4 kryetarëve shqiptarë në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në votim morën pjesë 253 qytetarë nga rreth 46 mije e 500 votues të regjistruar. Në Zveçan nuk votoi asnjë person.
Ndërkombëtarët e vëzhguan procesin me 17 ekipe dhe rreth 60 persona në terren ndërsa situata u vëzhgua edhe nga KFOR dhe EULEX që kryen patrullime të vazhdueshme në katër komunat e veriut.
Pas përfundimit të votimit në orën 19:00, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale tha se qytetarët serbë nuk e shfrytëzuan të drejtën për të votuar për shkak të presionit të Beogradit.
“Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë. Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta duhet të hiqen menjëherë” shkroi Osmani.
Ndërkohë Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e konsideroi farsë procesin e votimit në katër komunat veriore. Sipas saj, të dielën është treguar “shkallë e lartë e unitetit të popullit serb”.
Aktualisht 4 komunat në veri të Kosovës udhëhiqen nga Kryetarë shqiptarë të cilët u zgjodhën nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të shkuar pasi partitë serbe braktisën procesin zgjedhor.
Kryetarët Aktual të Komunave të Veriut konsiderohen jolegjitim pasi janë zgjedhur në këto poste me më pak se 3% të votave.
Dërgimi i tyre në ndërtesat e komunave vitin e shkuar solli edhe ndezjen e tensioneve në Veri, pasi serbët që jetojnë atje u përplasën me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s duke lënë të plagosur mbi 90 ushtarë të KFOR-it.
Në muajin janar të këtij viti qytetarët serbë në komunat veriore nënshkruan një peticion për shkarkimin e kryetarëve aktual të komunave në Veri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli pikërisht të dielën e 21 prillit si ditën për t’u votuar shkarkimi i këtyre 4 kryetarëve.
Pavarësisht kërkesës së tyre për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat e veriut, serbët zgjodhën që këtë të diel të braktisnin procesin e votimit pas thirrjes që iu bë atyre nga Lista Serbe./abcnews.al