Serbët bllokadë në pikat kufitare/ Përgjigjet Kosova, mbyll Merdaren dhe Bernjakun

schedule15:19 - 7 Shtator, 2024

schedule 15:19 - 7 Shtator, 2024

Qeveria Kurti dhe qeveria e Vuçiç po luajnë me sa duket një lojë lufte në kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar me fillimin e një krize të re që kërcënon të gjithë rajonin. Një tufë serbësh bllokuan të premten në mbrëmje pikat kufitare me Kosovën nga ana e Serbisë, Jarinjën, Bërnjakun dhe Merdaren, duke mos lejuar kalimin e qytetarëve me dokumente dhe targa të Republikës së Kosovës. Pasoi ministri I brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla që urdhëroi mbylljen e pikave kufitare në Bërnjak dhe Merdare.

“Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë (Merdare), si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste dhe normalizim të plotë të situatës.”

Mëngjesin e së shtunës, “loja e luftës” vazhdoi me heqjen e bllokadës në Jarinje për qytetarët me dokumenta të Republikë së Kosovës. Dy pikat tjera kufitare, Bërnjaku dhe Jarinja, vazhdojnë te jenë të mbyllura.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaroi se këto pika do të mbeten të mbyllura deri në largimin e personave të maskuar. Ministri i brendshëm Sveçla kishte deklaruar më parë se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët në Bërnjak.

Bllokimi i pikave kufitare të Kosovës me Serbinë ishte paralajmëruar këtë javë nga drejtuesi I një grupimi nga Mitrovica e Veriut dhe pasoi aksionin e policisë së Kosovës në veri për mbylljen e strukturave paralele në 4 komunat veriore. Serbët kanë protestuar në Mitrovicën e Veriut duke kërkuar kthimin në punë. Aksioni I policisë së Kosovës u kritikua ashpër nga SHBA dhe BE, me Washingtonin që deklaroi se Kurti po keqpërdorte policinë e Kosovës duke ndërmarrë veprime provokuese dhe BE që paralajmëroi Prishtinën zyrtare kundër ndërmarrjes së hapave të pakoordinuar. KFOR nga ana tjetër, shtoi praninë në Urën e Ibrit, duke risjellë në vëmendje rezolutën 1244, që parasheh mbrojtjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Megjithatë, Në Prishtinë dhe Beograd, loja e luftës Kurti -Vuçiç vazhdon dhe ata që vuajnë pasojat janë Kosova dhe qytetarët e thjeshtë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!