Senatori amerikan akuzohet për shpërdorim detyre dhe ryshfet

schedule10:13 - 6 Mars, 2024

schedule 10:13 - 6 Mars, 2024

Senatori amerikan Bob Menendez dhe gruaja e tij po përballen me akuza të reja se kanë penguar drejtësinë ndërsa po hetoheshin mbi akuzat për ryshfet. Ata akuzohen se morën shufra ari, para në dorë dhe një makinë luksoze nga tre biznesmenë të Nju Xhersit.

Akuzat për pengim të drejtësisë iu shtuan të martën pas një sërë akuzash të tjera që tashmë ata po përballen. Në një deklaratë, senatori i quajti akuzat “një shpërdorim flagrant të pushtetit”.

“Unë jam i pafajshëm dhe do ta vërtetoj këtë pavarësisht se sa akuza vazhdojnë të shtohen”, tha Menendez.

Akuzat e reja lidhen me dhuratat që prokurorët thonë se çifti mori nga Jose Uribe, i cili u deklarua fajtor për akuzat për ryshfet javën e kaluar dhe pranoi të dëshmonte në rastin e korrupsionit.

Gjatë paraqitjes së tij në gjykatë të premten, Uribe kishte përshkruar punën me Nadine Menendez në 2022 dhe 2023 për të mashtruar prokurorët federalë rreth një Mercedes-Benz që ai kishte blerë për të.

Uribe tha se e bleu makinën sepse senatori Menendez kishte përdorur ndikimin e tij politik për të ndaluar hetimet penale ndaj dy prej bashkëpunëtorëve të tij.

“E dija se dhënia e një makine në këmbim të ndikimit ndaj një senatori të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar një hetim penal ishte e gabuar dhe pendohem thellësisht për veprimet e mia”, tha Uribe në gjykatë të premten.

Menendez gjithashtu bëri që avokati i tij t’u thoshte në mënyrë të rreme prokurorëve që mbikëqyrnin hetimin se ai nuk ishte në dijeni që një tjetër nga bashkëpunëtorët e tij të biznesit e kishte ndihmuar gruan e tij të bënte një pagesë hipotekore prej 23,000 dollarësh në shtëpinë e saj në Nju Xhersi.

Ai tha se Nadine Menendez bëri që avokati i saj t’u thoshte prokurorëve gushtin e kaluar se pagesa e hipotekës dhe fondet e dhëna për Mercedesin ishin hua, kur ajo e dinte se ishin ryshfet.

Senatori dhe gruaja e tij pritet të dalin në gjyq në maj për një sërë akuzash për korrupsion. Ndër të tjera, Menendez akuzohet se ka ndërmarrë veprime që kanë përfituar qeveritë e Egjiptit dhe Katarit, si një mënyrë për të ndihmuar dy bashkëpunëtorë të Nju Xhersit të marrin marrëveshje financiare të lidhura me këto dy vende.

Në një bastisje të FBI-së në shtëpinë e çiftit në vitin 2022 u zbuluan mbi 100,000 dollarë në shufra ari dhe më shumë se 480,000 dollarë në para, shumica e tyre të fshehura në dollapë, veshje dhe një kasafortë, thanë prokurorët.

Menendez tha se paratë e gjetura në shtëpi ishin kursime personale që ai kishte lënë për raste urgjente.

Djali i emigrantëve kubanë, Menendez ka mbajtur poste publike vazhdimisht që nga viti 1986, kur ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Union City, Nju Xhersi.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!