Senatorët republikanë në Senatin amerikan kanë mbështetur emrin e zgjedhur nga presidenti Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme. Por përballë akuzave për agresion seksual, senatorët kanë lënë të hapur mundësinë që FBI të hetojë gjyqtarin Bret Kavanah.
Një panel i Senatit amerikan ka kaluar të premten me 11 vota pro dhe 10 kundër kandidaturën e zgjedhur nga presidenti Donald Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara. Por me një lëvizje të papritur, senatori republikan Xhef Flejk i bëri thirrje FBI-së që të hetojë akuzat për agresion seksual të ngritura ndaj gjyqtarit, një lëvizje kjo që mund të vonojë me 1 javë konfirmimin e tij në krye të instancës më të lartë gjyqësore. Por ende është e paqartë nëse hetimi do të bëhet pasi do të jetë sërish Senati që do të votojë, në një kohë kur demokratët e mbështesin një proces të tillë dhe republikanët e kundërshtojnë.
“Këtë do t’ia lë Senatit në dorë, ata i marrin vendimet. Deri tani kanë bërë një punë shumë të mirë dhe profesionale”, ka reaguar Trump ndaj kërkesës së senatorit Flejk.
Nga zyra Ovale, presidenti republikan ka insistuar për emërimin e Kavanah duke thënë hapur se në asnjë moment nuk e ka menduar zëvendësimin e tij. Republikanët kanë një mazhorancë 51 me 49 vende në Senat dhe ende nuk dihet nëse ata mund të sigurojnë të paktën 50 vota për të konfirmuar emërimin e gjyqtarit.
Një ditë më parë Kavanah dhe Kritstin Ford dëshmuan në një tjetër panel të Senatit në lidhje me akuzat për agresion seksual. Ford konfirmoi variantin e saj duke thënë se ishte 100 për qind e sigurtë për praninë e gjyqtarit në dhunimin e 36 viteve më parë dhe se kishte patur frikë mos e vrisnin. Duke reaguar, herë me pasion dhe herë duke u përlotur, Kavanah hodhi poshtë në mënyrë kategorike akuzën dhe tha se nuk kishte bërë kurrë një veprim të tillë. /abcnews.al