Senati amerikan voton ligjin për të mbrojtur martesat e së njëjtës gjini dhe ato mes racave të ndryshme

schedule10:07 - 30 Nëntor, 2022

schedule 10:07 - 30 Nëntor, 2022

Senatorët amerikanë votuan të martën me 61 vota pro dhe 36 kundër për të mbrojtur martesat e së njëjtës gjini dhe ato ndërmjet racave të ndryshme. Dymbëdhjetë senatorë republikanë votuan pro këtij ligji, që tashmë do të dërgohet në tryezën e Presidentit Joe Biden për t’u firmosur në fuqi, pasi të jetë votuar edhe njëherë në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Komunitetit tonë i duhet vërtet një fitore; kemi kaluar shumë”, tha Kelley Robinson nga organizata Fushata për të Drejtat e Njeriut, që mbështet të drejtat e komunitetit LGBTQ. “Si një homoseksuale, që jam gjithashtu e martuar, kam tashmë një ndjesi lehtësimi. E di se familja ime është e sigurtë”.

Ky ligj shfuqizon Ligjin për Mbrojtjen e Martesës të vitit 1966, që e përkufizon martesën në nivel federal si një akt mes një burri dhe një gruaje. Ligji i ri gjithashtu u kërkon shteteve të njohin martesat e të njëjtit seks dhe mes racave të ndryshme të lidhura në shtete të tjera, megjithëse nuk ua ndalon shteteve të miratojnë ligje që i ndalojnë këto martesa.

“Ky legjislacion i bashkon amerikanët”, tha Senatorja demokrate Tammy Baldwin, një prej propozuesve të ligjit dhe gruaja e parë homoseksuale e deklaruar publikisht që është zgjedhur në Senatin amerikan.

“Me Ligjin e Respektit për Martesën, mund të lehtësojmë frikën që kanë miliona çifte të të njëjtit seks dhe çiftet ndër-racore se liritë dhe të drejtat e tyre mund t’iu hiqen. Ne po garantojmë çiftet e të njëjtit seks dhe ato ndër-racore, se pavarësisht se ku jetojnë, martesa e tyre është e ligjshme dhe se do të vazhdojnë të kenë të drejtat dhe përgjegjësitë që u takojnë të gjitha martesave të tjera”, shtoi Senatorja Baldwin.

Gjykata e Lartë amerikane legalizoi martesat e së njëjtës gjini në nivel federal nëpërmjet vendimit të vitit 2015 për çështjen Obergefell kundër Hodges. Por, vendimi i gjykatës në qershor për çështjen Dobbs kundër Jackson, që anulloi të drejtën në nivel federal për abort, ngriti shqetësime për mbrojtjet federale edhe për të drejta të tjera.

Në opinionin e tij për çështjen Dobbs kundër Jackson, Gjykatësi Clarence Thomas shkruajti se gjykata duhet të rishqyrtojë edhe vendime të tjera të bazuara tek e drejta e privatësisë, si garancitë për të drejtën për martesë, apo të drejtën për të përdorur mjete të planifikimit familjar, duke argumentuar se Kushtetuta amerikane nuk i garanton këto të drejta. Opinioni i tij krijoi shqetësim të gjerë se në vazhdim gjykata do të anulonte të drejtën e martesës brenda gjinisë. Një grup dypartiak senatorësh punuan me projektligjin e Respektit për Martesën, për të trajtuar këtë shqetësim.

Senatori republikan Mike Lee tha gjatë debatit në seancën plenare të Senatit se ky legjislacion ishte i panevojshëm.

“Një rrjesht i vetëm nga një opinion i vetëm nuk përbën legjislacion që rrezikon seriozisht lirinë fetare. Ligji për Respektin për Martesën është i panevojshëm. Shtetet nuk po refuzojnë njohjen e martesave brenda gjinisë. Dhe nuk ka ndonjë rrezik serioz që dikush ta humbasë statusin e njohur”, tha ai.

Ligji kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve më herët këtë vit me mbështetjen e 47 ligjvënësve republikanë. Tashmë do të rikthehet në Dhomën e Përfaqësuesve në mënyrë që ligjvënësit të votojnë për amendamentet për mbrojtjen e lirisë fetare që shtoi Senati.

Liberty Counsel, një organizatë jofitimprurëse që mbështet lirinë fetare, tha në një deklaratë se Ligji për Respektin për Martesën ishte antikushtetues dhe se nuk ofron “ndonjë mbrojtje për individët apo organizatat fetare, dhe amendamentet e shtuara më pas përjashtojnë një përqindje të lartë të organizatave fetare të mbrojtura nga kushtetuta apo ligjet”.

Por, Senatorja republikane Susan Collins, një tjetër mbështetëse e ligjit, tha në seancën plenare në Senat se shqetësimet për lirinë fetare janë një argument fals.

“Ky ligj do ta qartësonte në nivel legjislacioni federal se organizatat jofitimprurëse fetare dhe institucionet arsimore fetare nuk mund të detyrohen të marrin pjesë apo të mbështesin martesat që janë në kundërshtim me besimin e tyre fetar”, tha ajo.

Në maj 2022, një anketim i kompanisë Gallup, konstatoi se 71% e amerikanëve mbështesin martesat e së njëjtës gjini. Ndërkohë që mbështetja ishte në vetëm 27% kur u bë një anketim i ngjashëm në vitin 1996. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!