“Mos prisni të keni shenja, por bëni një kontroll për kancerin e gjirit”. Mesazhi vjen nga një 71-vjeçare e cila prej afro tetë vitesh po lufton me sëmundjen dhe tashmë ka vendosur të flasë për të gjitha gratë, bijat dhe nënat.
“E quaj sëmundje e pabesë, nuk të jep asnjë lloj shenje. Prandaj motra, nëna, bija, kontrollohuni. Nga dushi, isha me bijën time të tretë Adelën, ajo pa diçka që nuk shkonte, direkt në atë sekondë ka lënë orare për mua për kontrolle, për mamografi për eko për të gjitha. U zbulua. Ishte stadi i tretë. Të kapësh në stadin e tretë pa asnjë lloj shenje, prandaj e kam quajtur unë të pabesë këtë lloj sëmundje”.
Prej këtij momenti për Fatbardha Pashollin nisi rrugëtimi i gjatë dhe i vështirë. Sfidues jo vetëm për të, por për të gjithë familjen.
“Pasi kaluan kimiot e gjirit, sëmundja lëviz, shkoi nëpër mushkëri, aty e kam ndjerë veten, se unë jam shumë e fortë, pak të dobët, po me forcën e bijave të mija të dashurve të mi, familja ime u trondit. Po jeta na mëson të jemi të fortë. Vetëm me forcë përballohen”.
Kryesisht për shkak të faktorit gjenetik, ndryshimit të mënyrës së jetësë, por dhe shtimit të programeve për zbulimin e sëmundjes, dy dekadat e fundit të prekurit prej kancerit të gjirit në vendin tonë janë rritur me 20%.
“Nëse kanë qenë në 2008 tek 500 raste, kemi shkuar tek 700 në vit. Ajo që ne themi se është arritje dhe me programin nacional të luftës kundër kancerit që tashmë shteti shqiptar e ka aprovuar, një mamografi falas, është që ne kemi filluar ti kapim sëmundjen në faza pak më të hershme.”
Por fatkeqësisht ende shumë gra e kapin sëmundjen në stade të avancuara. Arsye kjo që në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit shefja e shërbimit Onkologjik bën thirrje për kryerjen e vizitave periodike.
“Nuk na kushton asgjë që njëherë në vit të bëjmë një ekografi për vajzat nga 20 deri 40 vjeç dhe për gratë pas 40 vjet një mamografi njëherë në dy vjet një herë në tre vjet së bashku me ekografinë dhe vizitat tek senologu apo mjekët që i ndjekin këto paciente, është shumë më mirë të parandalosh se të kurosh. Ajo që ti kalon kur sëmuresh është vërtetë një traumë e madhe për pacientin familjarin, por jo pak dhe për ne mjekët. “
Në Shqipëri kanceri i gjirit mbetet sëmundja më e shpeshtë tek gratë dhe shkaku kryesor i humbjes së jetës tek femrat e prekura nga tumoret./abcnews.al