Semanaj në Abc shpjegon katër fazat e sulmit ndaj institucioneve shqiptare: Hakerat po tallen me ne

schedule19:45 - 12 Shtator, 2022

schedule 19:45 - 12 Shtator, 2022

Eksperti për sigurinë e teknologjisë, Besmir Semanaj i ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi ka folur për sulmet e vazhdueshme të hakerave ndaj institucioneve shqiptare.

Ai theksoi se sulmi i parë ka filluar në maj të vitit 2021.

Sipas tij deri më sot janë zhvilluar katër faza sulmi, ku e para është marra e aksesit në serverat e institucioneve tona, faza e dytë ajo e grabitjes së sistemit, faza e tretë ajo e shkatërrimit dhe e katërta që po ndodh aktualisht është ajo e përqeshjes.

Ai tha se nxjerrja në shitje nga ana e hakerve e informacioneve të shtetit shqiptar me një çmim të ulët tregon se jemi në fazën ku ata po na përqeshin.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Brenda një harku të shkurtër kohor patëm dy sulme të forta, si fillime me e-albania dhe më pas sistemi TIMS, çfarë po ndodh?

Semanaj: Më shumë se një sulm i dytë ky është vazhdim i sulmit të parë që ka nisur që në maj 2021, por autoritetet shtetërore u vunë në dijeni pas fazës së tretë të sulmit. Rreziku është shumë i lartë, por akoma nuk dimë çfarë informacionesh kanë prekur. I gjithë informacioni jonë bazohet në raportin e Microsoft dhe tek burimi kriminal i hakerave. Nuk e dimë nëse këto informacione janë të vërteta, por për sa kohë institucionet nuk i përgënjeshtrojnë atëherë ne na duhet që ti besojmë.

Xhokaxhi: Çfarë kanë nxjerrë deri tani?

Semanaj: Nis që nga videot me fshirje totale të serverave, e-mailet, daljet e të dhënave personale të shqiptarëve. Kishim dalje të informacioneve të qytetarëve të tjerë që jetojnë në Shqipëri, rasti i opozitës iraniane. Sot po qarkullon një lajm ku informacionet e e-albania dhe TIMS janë të shitura. Nga raportet e ardhura nga Microsoft kemi parë katër faza sulmesh. Faza e parë është marrja e aksesit, e dyta grabitja e informacioneve që u zhvillua nga nëntori në janar, faza e tretë ishte ajo e shkatërrimit të sistemeve, dhe faza e katërt është ajo e përqeshjes. Jemi bërë në një farë mënyrë edhe qesharakë.

/Abcnews.al/