Seleksionime për Shqipërinë U19, Mema: Marrim më të mirët, kam një mesazh për klubet

schedule11:51 - 4 Shkurt, 2021

schedule 11:51 - 4 Shkurt, 2021

FSHF ka nisur seleksionimet për Shqipërinë U19 në Qendrën Sportive të ekipeve kombëtare Kamzë. Raportohet se janë rreth 45 futbollistë të rinj që po vëzhgohen nga afër. Sulejman Mema, specialist pranë sektorit të Ekipeve Kombëtare, ka folu për Fshf.org në lidhje me këtë “zbor” që po bëhet me lojtarë nga kampionati ynë.

“Strategjia është pak ndryshe se herët e tjera. Them që është bërë një punë e mirë, jashtëzakonisht e mirë deri tani. Kërkojmë të ndërtojmë një kombëtare, edhe pse përpara trajneri i ka evidentuar futbollistët e U19-s. Ne mendojmë t’i seleksionojmë për t’ia dhënë të drejtën të gjithëve, ato që janë kryesorët për t’u parë për ekipet kombëtare.

Një strategji që mua po më pëlqen deri tani, nga mënyra se si po luajnë këto djem të rinj. Ka shumë, kemi marrë nga të gjithë klubet që ne kemi në Shqipëri. Them që do t’i japim të drejtë kujtdo për të qenë pjesë e ekipit tonë kombëtar. Nuk e di a do bëhet apo nuk do bëhet, akoma jemi në dilemë, të kampionatit europian që zhvillohet në Çeki.

Por këto janë djemtë, së bashku me ata që kemi jashtë, për të zgjedhur më të mirët dhe për të bërë një punë, normalisht që të gjithë të jenë të bindur, që këtu do të hyjë ai që është më i miri”, shprehet Mema, i cili ndër vite ka punuar me moshat te Shkëndija e Tiranës dhe te Tirana. Trajneri i njohur ka edhe një mesazh për klubet shqiptare të futbollit.

“Unë e kam thënë me kohë që prurjet nuk janë të këqija, janë prurje të mira. Janë elementë të mirë. Kemi parë deri tani, i ndjekim si për Kupë ashtu edhe për kampionat dhe shikojmë që deri tani, them që janë lojtarët më të mirë të Kupës dhe kampionatit shqiptar të këtyre kategorive. Janë futbollistë që luajnë edhe me ekipet e para, me ekipe të të rriturve që ne kemi.

Shpresoj që kjo punë të shkojë mirë. Deri tani, ne jemi shumë njerëz që e shikojmë këtë punë dhe shikoj që të gjithë janë të preokupuar, të gjithë janë të përkushtuar që t’i japim të drejtën cilitdo për të qenë pjesë e ekipit kombëtar. Ka diçka shumë të rëndësishme, ne i shikojmë, i evidentojmë, i kemi evidentuar, por problemi është se si ato zhvillohen nëpër klube, si ato stërviten nëpër klube.

Dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Klubet duhet të jenë shumë të përgjegjshme, trajnerët e tyre duhet të jenë shumë të përgjegjshëm për t’i rritur nga ana cilësore lojtarët”, ka përfunduar Mema deklaratën e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!