Selami i ashpër: Berisha është bërë qesharak, e ka mbyllur kapitullin, Basha do të mbijetojë

schedule22:15 - 1 Dhjetor, 2021

schedule 22:15 - 1 Dhjetor, 2021

Partia Demokratike ndodhet sot në një udhëkryq, duke kaluar një nga krizat më të rënda në historinë e saj tridhjetë vjeçare. Shkak për këtë krizë është bërë ndryshimi i qëndrimit të ish kryeministrit Sali Berisha, pasi kryetari i tanishëm, Lulzim Basha, vendosi ta përjashtojë atë nga grupi parlamentar, pas shpalljes non grata nga Sekretari Amerikan i Shtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami! Cili është mendimi juaj për atë që po ndodh sot në Partinë Demokratike?

Eduard Selami: Mendimi im është që ky është një debat tejet i vonuar për Partinë Demokratike, e cila lindi si partia e parë opozitare, si shpresa e të rinjve shqiptarë për një Shqipëri si Europa. Për pak ditë bëhen 31 vjet dhe ende Shqipëria formalisht nuk është futur në Bashkimin Europian. Fatkeqësia e Partisë Demokratike ka qenë zoti Berisha, i cili edhe pas shpalljes non grata nga Departamenti i Shtetit, ku qartas tregohet se ai ka qenë pengesë për demokracinë në Shqipëri, ka patur shanse historike si askush tjetër në historinë e Shqipërisë dhe i ka shpërdoruar të gjitha këto shanse, ai vazhdon përpjekjen për të mbajtur peng Partinë Demokratike. Dëshira ime ishte që zoti Basha ta kishte filluar këtë debat më përpara, por zoti Basha provoi se nuk është një lider natyral i Partisë Demokratike, por i përzgjedhuri i Berishës për ditët e tij të këqija.

Zëri i Amerikës: A ka të ardhme Partia Demokratike me zotin Berisha si kryetar, duke qenë se ai është shpallur non grata, dhe çfarë ndikimi do të kishte ky zhvillim për partinë kryesore të opozitës në Shqipëri?

Eduard Selami: Unë nuk mund ta mendoj këtë. Fakti që ne po diskutojmë për këtë skenar është surreal. Berisha do ta kishte kapërcyer këtë me kohë. Ky debat për shkeljet e Berishës ka nisur që në mesin e viteve 90. Shqipëria ishte një histori suksesi dhe pikërisht autoritarizmi, mentaliteti i së kaluarës, që zoti Berisha pruri nga Partia e tij Komuniste, fatkeqësisht paralizoi edhe forcën e parë politike të opozitës dhe e futi Shqipërinë në luftë civile. Ky është përgjegjësi kryesor për këtë punë. Ai krijoi kulturën e mosndëshkimit në mënyrën më të qartë që mund të bëhet. Nuk është se Shqipëria nuk ka edhe liderë të tjerë të pazotë dhe të korruptuar, edhe rajoni, por ky ka qenë epiqendra dhe kontrasti bëhet më i madh se ka patur mbështetje dhe shanset më të mëdha nga SHBA, të cilat i ka shpërdoruar. Progresi i Shqipërisë do të ishte shumë herë më i lartë, nëse do të kishim një lidership tjetër dhe nëse ky nuk do të pengonte. Një skenar, që ky të vijë tani si reformator i Partisë Demokratike, për mua është i pamundur dhe është një humbje e kohës së Partisë Demokratike.

Zëri i Amerikës: A mendoni se Partia Demokratike vuan sot nga një mungesë besueshmërie, pasi si zoti Berisha si zoti Basha nuk kanë dëshmuar në historinë e tyre se i respektojnë rregullat dhe statutet e partisë?

Eduard Selami: Patjetër. Fakti që 3 mandate rresht, 12 vjet, besimi rrudhet. Unë i kam thënë këto edhe në Kuvendin e Partisë Demokratike. Unë shkova atje për të përmirësuar, dhe ishte si një mision i lënë përgjysmë. Për shkak të zotit Berisha, për shkak të përdorimit dhe shpërdorimit prej tij të pushtetit kur ishte president, dhe me largimet flagrante të njerëzve. Jo vetëm ka qenë shkelje shkarkimi i kryetarit në Kuvend të partisë, por e përdori gjithë shtetin kundër tij. Këto janë fakte të ditura. Unë mendoj që të dy kanë mungesë besueshmërie. Zoti Basha duhet të provojë se është lider i Partisë Demokratike. Deri tani ka provuar që është thjesht i përzgjedhur deri atje ku nuk kishte ku shkonte më. Për mua është fyese dhe për Partinë Demokratike dhe për kryetarin e saj të thotë se këtë nuk e bën ai, por e ka bërë Amerika. Ky debat duhet të kishte filluar në Shqipëri. Kjo hapësirë është një shans i dytë, që i jepet demokracisë shqiptare, për të ndëshkuar atë që ka qenë një qeverisje e keqe, një qeverisje e korruptuar, duke mos respektuar institucionet, e cila është bërë modë në Shqipëri. Shqipëria ka shanse, Shqipëria po vazhdon. Shqipëria ka mbështetjen amerikane për t’u bërë një vend i përparuar në rajon. Tani debati është: Partia Demokratike do të bëhet pjesë e kësaj apo jo? Kjo do të varet nga demokratët.

Zëri i Amerikës: A mendoni se zoti Basha do të arrijë t’i mbijetojë kësaj përplasjeje?

Eduard Selami: Po. Unë mendoj që edhe mund t’i mbijetojë. Sepse aty janë parti kryetarësh. Janë si puna e atyre kalave, ku vet Saliu e ka vënë atë atje. Por nuk është ky thelbi dhe nuk është kjo ajo, që pritet nga Partia Demokratike si forcë e parë. Partia Demokratike nuk duhet thjesht të shohë se si të shkëputet nga Sali Berisha. Kjo shkëputje tashmë është kryer. Kapitulli i Berishës është mbyllur. Berisha është e kaluara dhe një e kaluar jokrenare. Nuk është ai e ardhmja. Ata duhet të shikojnë përpara. Basha duhet të shikojë përpara. Ka edhe një shans të vogël që mundet. Mendoj se do ta ketë të vështirë, por nuk mund t’ia heq, dhe koha do ta provojë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zoti Berisha sot po bën fushatë me foltore në gjithë Shqipërinë dhe aty ai po pretendon se në fund do të mbizotërojë statuti i partisë dhe se ai do të garantojë zgjedhje të drejta për kryetarin e ri të partisë. A mendoni se zoti Berisha ka ndryshuar ose mund të ndryshojë?

Eduard Selami: Kjo është e pamundur. Ky kapitull është i mbyllur. Të dëgjosh tani për statut, që flet Berisha, kjo është qesharake. Ai votoi të rizgjidhej Basha, edhe pasi Berisha u bë non grata. Basha ka reaguar ngadalë. Kjo është thjesht një hakmarrje për të dhe tregon që Partia Demokratike ka qenë për Berishën thjesht për prirjen e tij të pafund për pushtet dhe ai ka qenë pengesa, dhe Berisha është sëmundja e jo shërimi i Partisë Demokratike. Deklarimi i tij person non grata, i rezervuar për persona që janë pjesa më negative e njerëzimit nga fuqia më e madhe demokratike – nga Amerika – unë mendoj që i thotë të gjithë të tjerat. Dhe çdo përpjekje për t’i dhënë hapësirë atij mendoj se krijon një çoroditje të panevojshme të përkohshme. Shqipëria do të ecë. Ky ka qenë pengesë dhe pengesa të tilla do të vijnë dalëngadalë duke u zvogëluar.

Zëri i Amerikës: A mendoni se Partia Demokratike po shkon drejt përçarjes? Apo ka ende vend për kompromis midis këtyre dy udhëheqësve?

Eduard Selami: Unë nuk do ta quaja kompromis ndarjen nga berishizmi. Kjo do të ishte progresi i parë dhe hapi i parë për Partinë Demokratike.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti Berisha ka një sërë pasuesish, që e ndjekin, që e mbështesin. A do të çojë kjo në ndarje të partisë?

Eduard Selami: Kjo nuk ka lidhje me këtë. Pasues dhe ndjekës kanë edhe njerëz që kanë kryer krime më të rënda se Berisha. Nuk matet kështu. Duhet shikuar e ardhmja. Forcat politike duhet të bëhen shpresë e të ardhmes, e lirisë, e demokracisë, ku të rinjtë të shohin jetën dhe punësimin. Herën e fundit që kam dalë në publik ishte në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku ishin edhe Berisha edhe Basha, dhe ku u fyeva dhe u bënë përpjekje të më ndërpritej fjala. Unë kërkova atje fare thjesht: kur kryetari humb në mënyrë flagrante, të dorëhiqet. Ai ka humbur 3 herë dhe Berisha kujtohet pas herës së tretë të godasë një njeri, që e ka vënë aty si kukull. Unë edhe në fushatë këtë kam thënë: që Basha është kopje e shëmtuar e Berishës. Origjinali është Berisha. Unë kam bërë fushatë kundër berishizmit në Partinë Demokratike. Për mendimin tim kjo ishte e vonuar, por ata thonin se ishte e përparuar. Mbështetësit që ka Berisha nuk janë diçka, që duhet marrë parasysh, nëse Partia Demokratike dëshiron të ardhmen. Ajo duhet të vendosë: A do të bëhet edhe një herë shpresë për shqiptarët apo do që të jetë thjesht peng në duart e Berishës apo të Bashës.

Zëri i Amerikës: Si mund të bëhet Partia Demokratike përsëri shpresë për shqiptarët?

Eduard Selami: Në radhë të parë, ajo duhet të rithemelohet mbi vlera demokratike, të cilat nuk i ka. Ky debat është tejet i vonuar në Partinë Demokratike. Këto janë momente historike, që duhen parë. Kritikat duheshin dëgjuar më herët, duheshin dëgjuar njerëzit që mendojnë ndryshe. Duhet të hapnin garën edhe Basha edhe Berisha. Këta e kanë mbyllur këtë punë vetëm për interesat e tyre personale. Nuk është çudi që sot ndahen e nesër bashkohen përsëri.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri jo vetëm Paetia Demokraikte, por edhe partitë e tjera janë mbizotëruar historikisht në 30 vjetët e fundit nga figurat e forta, nga udhëheqës që dominojnë. Si shpjegohet dhe si mund të ndryshojë kjo që t’u hapt rruga të rinjve dhe partia të drejtohet nga teknokratë?

Eduard Selami: Unë në këtë studio të Zërit të Amerikës e kam quajtur Shqipërinë një republikë partiake dhe partitë politike si prona personale të kryetarëve. Kjo është mungesë e kulturës demokratike në Shqipëri. Në këtë pikë kontributin më të madh negativ e ka sjellë Berisha, sepse sot Partia Demokratike është shumë më pak demokratike se në fillimet e saj. Ajo është bërë mburojë e korrupsionit, pasi është definuar nga Departamenti i Shtetit. Kjo është finale dhe nuk ka më vend këtu për diskutim. Kjo tregon se institucionet janë shumë të dobësuara në Shqipëri. Kryetarët e partive në mënyrë të organizuar bashkëpunojnë me njëri tjetrin për të mbajtur këtë lloj platforme. Kjo do të vijë dalëngadalë duke u zbutur. Falemnderit mbështetjes ndërkombëtare, që na shpëtoi nga një luftë civile. Falemnderit Amerikës, që na jep një shans të dytë. Kush të konkurrojë dhe të fitojë, le të ecë. Unë kam besim tek Shqipëria, që institucionet do të forcohen. Reforma në drejtësi ka filluar dhe do të japë rezultate, edhe pse nuk është e përsosur. Demokracia kërkon edhe angazhimin e qytetarëve dhe ata duhet të jenë të përfshirë në këtë proces.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, ju keni qenë kryetar i Partisë Demokratike në fillimet e saj. Pas shumë vitesh u shkëputët, u rikthyet përsëri, ishit deputet, vutë edhe kandidaturën për kryetar të partisë. Sërish u larguat nga Shqipëria. Sot, me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, a shihni veten të riktheheni në Shqipëri për të kandiduar?

Eduard Selami: Jo. Interesi i vetëm është që të shikoj Shqipërinë që të përparojë dhe të ndihmoj me aq sa të kem mundësi. Edhe nga kjo studio, dhe falemnderit për ftesën. Kontributi im i takon së kaluarës. Unë kam parë atje mjaft të rinj e të reja, të cilët mund ta çojnë Partinë Demokratike atje ku duhet dhe kam besim se kjo do të dalë. Mund të mos dalë sot a nesër, por kam shumë besim se kjo do të arrihet.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, ju falemnderit!

/ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!