Selahi: Kjo ishte ëndrra ime, i kam thënë jo Belgjikës

schedule13:32 - 7 Tetor, 2019

schedule 13:32 - 7 Tetor, 2019

Lindon Selahi, mesfushori i Twente në Holandë, për herë të parë është ftuar në kombëtare. Mesfushori 20-vjeçar do të jetë nën urdhrat e trajnerit Edi Reja për ndeshjet me Turqinë dhe Moldavinë. Ai ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ftesën dhe gjithçka tjetër rreth tij.

FTESA – “Kam luajtur të gjitha ndeshjet me klubin tim, e kam merituar ftesën besoj. Kur e pashë ftesën te klubi kam qenë shumë i lumtur, sepse kur kam qenë më i vogël, ëndrra ime ishte që të luaja një ditë për kombëtaren. Momenti erdhi dhe shpresoj të aktivizohem, por vendos trajneri. Do jap maksimumin në çdo stërvitje.”

KOMBËTARJA – “Më pritën shumë mirë. Njoh Taulantin (Xhaka), Seferin edhe Selmanin. Tani vjen edhe Ramadani me Keidi Baren. Kam lujtur te shpresat me të dy. Atmosfera duket e mirë dhe kam mundësi të bëj gjëra të mira këtu.”

REFUZIMI – “Kur kam qenë i ri kam luajtur me Belgjikën, sepse nuk më thirri Shqipëria. Tani që më thirri Shqipëria, direkt e kam patur mendimin për Shqipërinë. Kam patur mundësi të shkoj te Belgjika, ama kur të thërret Shqipëria dhe e ndjen veten si shqiptar vetëm shkon drejt dhe zgjedh Shqipërinë 100%.”

ECURIA – “Ekipi ka patur momente jo të mira, por tani mendoj se është moment i mirë. Kemi mundësi për t’u kualifikuar, këto 2 ndeshje janë të rëndësishme. Do shkojmë për fitore në Turqi dhe Moldavi. Të luajmë sa më mirë dhe të japim maksimumin.”

POZICIONI – “Unë mund të luaj në çdo pozicion të mesfushës. Si numër 8 e ndjej vetën më mirë, por nuk e kam problem aktivizimin në pozicione të tjera, si numër 10 apo 6.”

ËNDRRA – “Për momentin jam në sezonin e parë me Twente. E kam nisur mirë, ndihem mirë dhe nuk dua të shikoj shumë lart për momentin. Ëndërroj të luaj sa më shumë me klubin dhe kombëtaren. Pse jo, një ditë të fitojmë kupën e Evropës.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!