Sekuestrohen tre kg kanabis dhe një armë gjahu në Dibër, në kërkim tre persona

schedule11:55 - 10 Tetor, 2022

schedule 11:55 - 10 Tetor, 2022

Policia e Dibrës ka sekuestruar rreth 3.3 kg kanabis dhe një armë gjahu dhe ka shpallur në kërkim 3 persona.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Stojani”, shërbimet e Policisë kanë marrë informacion se në territorin e fshatit Stojan, disa persona kishin kultivuar bimë narkotike.

Mbi bazën e këtyre informacioneve është ushtruar kontroll i imtësishëm në territorin e fshatit Stojan, ku si rezultat i kontrollit nga forcat e posaçme Operacionale e “Shqiponja”, si dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, është gjetur e paketuar sasia prej 3.3 kg lëndë e dyshuar narkotike canabis sativa, në forma boçeje.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se lënda narkotike e sekuestruar iu përkiste shtetasve N. T., 34 vjeç, N. K., 31 vjeç dhe N. C., 63 vjeç, të tre banues në Mat, të cilët janë shpallur në kërkim.

Në vijim të kontrolleve, në banesën e shtetasit N. C., është gjetur një armë gjahu e cila, së bashku me lëndën narkotike, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Më herët, në kuadër të operacionit “Stojani”, u sekuestruan 33 kg kanabis, u vu në pranga 1 shtetas dhe u shpall në kërkim vëllai i tij.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Abcnews.al/