Sekuestrohen rreth 300 rrënjë kanabis dhe 3 automjete pa targa në fshatin Pajovë të Peqinit.
Mësohet se operacioni ka ndodhur ditën e sotme, në orët e para të mëngjesit, ku pas informacioneve në rrugë operative, forca të shumta të policisë kanë nisur kontrollet në këtë zonë.
Skuadra operacionale e Policisë së Shtetit, ka bërë të mundur arrestimin e 2 personave K. D., 25 vjeç dhe Sh. K. 45 vjeç ndërkohë është shpallur në kërkim edhe M. K., 31 vjeç.
Ndërkohë burime për ABC News kanë njoftuar se janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë.
Siç raporton gazetari Aldo Kozarja kjo është një zonë e re që i është shtuar hartës së zonave ku kultivohet kanabisi.
Ndërkohë në njoftimin e saj zyrtar Policia thotë se po vijon kontrollin e territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
“Peqin
Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Sekuestrohen 300 kubikë të mbjellë me fidanë kanabis, tre automjete, një sasi lekësh e sende të tjera.
Vihen në pranga dy shtetas dhe një shpallet në kërkim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, në bashkëpunim me forcat operacionale të DVP Elbasan, në zbatim të planit operacional për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative dhe si rezultat i kontrollit të territorit, kanë bërë të mundur evidentimin dhe goditjen e një rasti të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Si rezultat janë kapur dhe arrestuar në flagrancë në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, në vendin e quajtur ‘’Zgabel i Madh’’, në fshatin Pajovë të Njësisë Administrative Pajovë të Bashkisë Peqin, shtetasit:
K. D., 25 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe Sh. K. 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Pajovë, Bashkia Peqin.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi M. K., 31 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 300 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, kubikë me pleh për të kultivuar fara kanabisi, një pajisje me helikë centrifugale me motor me depozitë karburanti në të, çadër si ato ushtarake, një sasi lekësh, tre automjete fuoristrada pa targa, në pronësi të shtetasit Sh. K. dhe pajisje shtëpiake.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjygjësor Elbasan, për veprën penale ‘’Kultivimi i bimëve narkotike, në bashkëpunim’’.
./abcnews.al