Sekuestrohen 1.5 milionë euro pasuri në pronësi të Admir Murataj dhe familjarëve të tij. Sipas policisë, sekuestrimi i pasurisë është bërë në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, ku në kuadër të ligjit anti-mafia të prekur janë edhe dy vëllezërit e të ndjerit Shpëtim dhe Can Murataj si edhe ish-gruaja e tij Albana.
Rreth 1.5 milionë euro është vlera e sekuestrimit me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda për pasuritë që zotëron familja e të ndjerit Admir Murataj. 46-vjeçari akuzohet nga prokuroria si organizatori i supergrabitjes së 9 Prillit të ndodhur brenda pistës së Rinasit, ku u morën rreth 5 milionë euro.
Murataj humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me punonjësit e policinë, ndërsa emri i tij lidhet edhe me dy grabitjet tjera të autoblindave me para të ndodhura në vitet 2015 dhe 2017 në rrugën përgjatë aeroportit të Rinasit.
Nga pronat e sekuestruara, disa janë në pronësi të vetë Admirit, dhe një apartament në pronësi të bashkëshortes së tij, Albana. Ndërkohë, makinat e konfiskuara janë në pronësi të vëllait të viktimës, Can Murataj.
Gjatë njoftimit të policisë, thuhet se pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme që zotërohen nga anëtarët e tjerë të familjes Murataj dyshohet se janë përfituar nga aktivitetet kriminale, që ka kryer edhe në Greqi Admiri.
Fillimisht sekuestrimi i këtyre aseteve u bë mbi dyshimet se vinin nga aktiviteti të jashtëligjshme, ndërkohë Departamenti i Policisë Kriminale ka dyshime se një pjesë e mirë e pasurive të tjera të Admir Murataj dhe familjarëve të tij të jenë regjistruar në emër të personave të tjerë për t’i shpëtuar sekuestrimit.
Pasuritë e sekuestruara janë lënë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Në kuadër të ligjit anti-mafia, në skaner janë edhe pasuritë e dy vëllezërve Çala, Klement dhe Eldi Çala, të cilët akuzohen gjithashtu nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si pjesëmarrjen nga grabitjen e dy mujve më parë në Rinas.
/ABC News Albania 24/7