Një 33-vjeçar është arrestuar në Skrapar pas një operacioni të kryer kundër kultivimit të kanabisit. Gjithashtu gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 6.4 kg Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak.
33-vjeçari i arrestuar mësohet se kishte prodhuar lëndën narkotike dhe mbante armën pa leje, në banesë.
“Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të kryer për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit dhe në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar, finalizuan operacionin policor të koduar “Mollas”. Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi 33 vjeç, banues në fshatin Mollas”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga kontrollet, në afërsi të banesës së tij, janë gjetur 6.4 kg Cannabis Sativa, gati për shitje, ndërsa në banesë i është gjetur 1 armë zjarri pushkë me krehër dhe fishekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.