Iu sekuestruan miliona euro pasuri/ Kush është Nikolin Gjolena, i dënuar për laboratorin e kokainës në Fier

schedule12:04 - 27 Nëntor, 2024

schedule 12:04 - 27 Nëntor, 2024

FIER- Gjykata e Fierit ka vendosur të sekuestrojë disa pasuri të Nikolin Gjolena, 36 vjeç, i dënuar nga GJKKO-ja, për “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sakaq, janë sekuestruar 19 pasuri të paluajtshme, në Tiranë dhe Durrës. Hetimet kanë dokumentuar se ky person i kishte tjetërsuar këto pasuri me vlerë totale rreth 2.5 milionë euro, në favor të të afërmve.

Konkretisht u sekuestruan 10 apartamente në Durrës, 5 apartamente në Tiranë, 1 njësi tregtare në Durrës, 2 garazhe në Tiranë dhe 1 ndërtesë në Tiranë.

Aktualisht po vijojnë hetimet për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera, që ky shtetas dhe shtetasit e lidhur me të, mund të kenë përfituar nga veprimtaria kriminale.

Kush është Nikolin Gjolena dhe roli i tij në laboratorin e kokainës në Fier

SPAK në dosjen e tij e ka cilësuar Gjolenën si financuesi i organizatës së narkotrafikut, i cili po i jepte jetë laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit.

Në operacionin policor të kryer në vitin 2022, Nikolin Gjolena konsiderohej edhe si financues i blerjes së lëndës narkotike, madje ai komunikonte edhe me një oficer policie, duke i dërguar kontaktin.

Komunikimet kryheshin me anë të kodeve dhe sipas SPAK, Gjolena komunikonte me efektivin dhe ky më tej me ish-kryetarin e Komunës së Frakullës, Viktor Çervanaku.

Operacioni për goditjen e grupit u ndërmor nga SPAK, autoritetet malazeze dhe DEA amerikane. Për këtë, 11 persona të akuzuar për “grup të strukturuar kriminal” përfunduan në pranga.

Gjolena mori 11 vite burgim nga procesi në GJKKO në 25 qershor 2024. Në total për 11 anëtarët e organizatës u shqiptuan 89 vite burgim nga Gjykata e Posaçme. Me 10 vite u dënua edhe ish-kryekomunari i Frakullës, Viktor Çervanaku. /abcnews.al