Sekuestrohen 1.3 ton kokainë në Portugali, ishin fshehur brenda peshqve të ngrirë. 7 të arrestuar

schedule17:00 - 4 Mars, 2024

schedule 17:00 - 4 Mars, 2024

Policia portugeze ka sekuestruar 1.3 ton kokainë të fshehur brenda peshqve të ngrirë, një ndër sasitë më të mëdha të zbuluara në vitet e fundit. Në kuadër të operacionit, policia arrestoi 7 persona, ndërsa ka sekuestruar edhe 8 armë zjarri, makina luksoze, si dhe dokumente dhe sende të ndryshme.

Ngarkesa nga Ekuadori u shkarkua në portin e Lisbonës, tha policia, duke shtuar se oficerët po kryenin një sërë hetimesh si pjesë e “Operacionit Calamari”. Droga , e cila u gjet në një magazinë në pjesën perëndimore të Portugalisë, ishte fshehur brenda peshqve të ngrirë, të cilët ishin të vendosur në kuti kartoni.

“Mënyra se si droga ishte fshehur në peshqit e ngrirë e bënte shumë të vështirë zbulimin e tyre dhe, për t’i hequr, peshku duhej të shkatërrohej plotësisht”, shpjegoi policia portugeze.

Të arrestuarit nga mosha 26 deri në 59 vjeç dyshohet se i përkisnin një grupi të krimit të organizuar që importonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine dhe e shpërndante në vende të ndryshme të Europës. Policia nuk e ka specifikuar kombësinë e të arrestuarve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!