Sekuestrimi i mijërave eurove në portin e Durrësit, policia jep detaje: Ku ishin fshehur paratë

schedule18:52 - 10 Nëntor, 2021

schedule 18:52 - 10 Nëntor, 2021

Policia Kufitare e Durrësit ka dhënë detaje për kapjen e 66 040 euro të pa deklaruara në port gjatë ditës së sotme.

Dy persona janë arrestuar pas sekuestrimit të kësaj shume parash. Në pranga kanë rënë, Vullnet Elezi dhe Anastas Thanasi.

Sasia e eurove është gjetur gjatë një kontrolli të ushtruar në një autobus të linjës Shqipëri-Itali. Sipas policisë, paratë ishin fshehur tavanin e autobusit.

Njoftimi i plotë:

Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe autoritetet doganore, parandalojnë dhe godasin në Port, Durrës, një rast të mosdeklarimit të një shume parash në euro.

Sekuestrohen 66 040 euro të pa deklaruara.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës kishte marë informacion në rrugë operative për një sasi eurosh që mund të futeshin në rrugë të paligjshme nëpërmjet Portit të Durrësit. Bazuar në këtë informacion  në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare dhe autoritetet doganore, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga ana e shënimeve të Policisë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm një autobuz, me drejtues shtetasit V. E., dhe A. Th.

Gjatë kontrollit të kryer në tavanin e autobuzit, shërbimet e Policisë konstatuan 66 040 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, shtetasit V. E., 50 vjeç banues në Elbasan dhe A. Th., 61 vjeç, banues në Tiranë (shofer të autobuzit).

Strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë vepër penale.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!