Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj vlerëson se ndryshimi i modelit ekonomik të një vendi duhet të mbështetet te burimet që ai disponon dhe jo te dëshirat, ndërsa thekson se Shqipërisë i ka munguar një strategji afatgjatë për zhvillimin ekonomik.
Ekspertja u shpreh se Shqipëria mund të rishikojë modelin e saj ekonomik, duke u bazuar edhe te sektori i energjisë elektrike.
Nunaj theksoi se zëvendësimi i modeleve ekonomike nuk mund të ndërtohet mbi dëshira, por kërkon planifikim afatgjatë.
Ajo nënvizoi se Shqipëria, në 35 vitet e fundit, nuk ka pasur një strategji të tillë dhe se zhvillimi ekonomik është mbështetur kryesisht te modele ad hoc. Sipas saj, turizmi po jep kontribut në ekonomi dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë për sa kohë sektori ruan ritmet e larta të zhvillimit.
“Nëse analizojmë secilin vend, gjithçka varet nga burimet. Spanja është zhvilluar sepse ka përdorur lëndët e para dhe floririn. Gjithmonë ekziston një skemë modeli. Të ndryshosh modelin do të thotë që ka ndryshuar diçka te lënda e parë.
Nëse flasim për ditët e sotme, vetë BE-ja ka identifikuar një numër produktesh bazike. Ky është një vend që mund të ndryshojë modelin. Nëse bëjmë ndryshim në modelin ekonomik, mund të bazohemi te shitja e energjisë elektrike. Së pari duhet të mbulojmë nevojat për energji, që me këto para të mbahet ekonomia.
Zëvendësimi i modeleve nuk ndërtohet mbi bazën e dëshirave. Shqipëria, në 35 vite, nuk ka pasur një strategji afatgjatë për ekonominë. Turizmi po funksionon për të mbështetur ndertimin për sa kohë kemi nivele kaq të larta të tij. Në përgjithësi, Shqipëria është zhvilluar më shumë përmes modeleve ad hoc.



