Sekretet e Tiranës, ngacmimet e Gjicit dhe merkato: Rrëfehet Egbo

schedule18:14 - 14 Qershor, 2020

schedule 18:14 - 14 Qershor, 2020

Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, ka dalë para medieve dhe ka folur për ndeshjes e radhës me Teutën dhe jo vetëm. Nigeriani, fillimisht deklaroi: “Do të jetë një ndeshje radhe për ne, janë 3 pikët në lojë dhe do shkojmë për të dhënë maksimumin. Do shkojmë në transfertë për të marrë atë rezultat që ne na duhet. Shpresojmë t’ia dalim”.

Safet Gjici, presidenti i Kukësit, u ankua se Tirana fitonte lehtë me ekipe si Bylisi dhe Luftëtari. Egbo është ngacmuar në lidhje me këtë çështje. “Nuk kam koment për deklaratat që janë bërë nga Kukësi. E kam thënë gjithmonë që do të flas vetëm për ekipin tim. Ne i vlerësojmë të gjitha ndeshjet dhe hyjmë në fushë vetëm për të marrë maksimumin. Ne i quajmë të gjitha ekipet të barabarta me ne. Nuk na intereson se çfarë të thonë të tjerët”, shtoi nigeriani.

Në lidhje me sfidën kundër Teutës, shtoi: “Jemi të përqendruar vetëm për ndeshjen  e nesërme, do përpiqemi të marrim maksimumin te ajo e nesërmja dhe pastaj do mendojmë për ndeshjet e tjera. Martini ka folur për ekipin e tij, unë për timin. Ne do të shikojmë nesër se çfarë do ndodhë. Fusha do tregojë gjithçka. Me ndihmën e Zotit shpresojmë të marrim rezultat pozitiv.  Pika e dobët e Teutës? Atë e dimë ne, por nuk mund ta them. I kemi studiuar dhe analizuar”.

Egbo foli edhe për ngjeshjen e kampionatit: “Dy javë nuk mjaftonin për rifillimin e kampionatit. Ne po mundohemi ta menaxhojmë mirë këtë moment. Shyqyr që na lejohen nga 5 zëvendësime, të cilat na ndihmojnë shumë. Besoj se të gjithë lojtarët do jenë të gatshëm për nesër”

Tirana është pranë titullit dhe ka zëra për lojtarë që mund të afrohen. Egbo e komenton kështu: “Jam i fokusuar vetëm te kampionati. Nuk më interesojnë lëvizjet që do të ndodhin. Jemi të fokusuar vetëm te objektivi jonë. Tirana ka elemente shumë të mirë dhe mund ta përballojmë edhe sezonin e ardhshëm me këta, nuk jam i interesuar për merkaton”.

Tirana në drejtimin e Egbo nuk njeh humbje dhe kur trajneri pyetet për sekretin e kësaj skuadre, ai shprehet: “Nuk kanë ndryshuar shumë gjëra. Përpiqemi të japim maksimumin në fushë. Mundohemi ta zgjidhim gjithçka brenda familjes, të gjitha problemet. Ky është sekreti. Jemi të gjithë si vëllezër dhe jemi një familje e madhe. Zoti na drejton të gjithëve, pastaj vjen presidenti dhe ne që drejtojmë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!