Marrëdhënia mes botuesit Bujar Hudhri dhe Ismail Kadaresë ishte gjithçka, përveçse e zakonshme. Një rrugëtim 30-vjeçar në një “terren të vështirë”, siç e përshkruan vetë Hudhri në studion e Pas Mesnatë, ku herë pas here “binin rrufe”, por që mbeti një nga bashkëpunimet më domethënëse për të.
Në 90 vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, Hudhri kujton bisedat me shkrimtarin e ndjerë.
“Kadareja nuk fliste fort se sa donte të jetonte por kohët e fundit shprehte një dëshirë që të jetonte 90 vjec. Unë i thoja gjithmonë do jesh mbi 100. E bukura për këtë intervistë është koicidenca tjetër që Kadare ka lindur më 28 janar 193 dhe ka qenë ditë e mërkurë. Pra pas 90 vitesh bie fiks e mërkurë. Kadare në një nga librat e tij thotë: ti ke lindur për ditë të mërkure thoshte babai’ sikur kjo kishte ndonjë rëndësi të vecantë dhe gjithmonë kujtonte usta Vasilin që kishte ardhur të rregullonte pjesë të catisë dhe kur iku tha ‘me një djalë i tha babait’ dhe linda unë.” thotë ai.
Hudhri kujton se takimi i parë me Kadarenë ndodhi në vitin 1995. Ndërsa thotë se shkrimtarit i bëri përshtypje serioziteti dhe fokusimi i tij i plotë te letërsia shqipe.
“ Ajo që mbaj mend tani dhe ka mbi 30 vjet që ka ndodhur, Kadareja atëherë jetonte në Francë, unë në Elbasan dhe im vëlla, gazetar në gazetën Drita kishte shumë miqësi me Kadarenë. Unë atëherë isha botues, ajo që ishte tipike për veprimtarinë time, ishte fokusimi im vetëm te letërsia shqipe. Dhe ishte kjo që më coi drejt Kadaresë. Im vëlla e organizoi këtë takim, ka qenë 15 nëntor 1995, ora 18:00 te shtëpia e Kadaresë. Ai e dinte se cfarë unë kisha botuar”, kujton Hudhri
Një nga momentet më të rëndësishme për shkrimtarin ishte botimi i veprës së plotë, e përmbledhur në shtatë vëllime – një numër biblik, i preferuar për Kadarenë. “Ai iku i lumtur, sepse e pa veprën e tij të plotë të përmbledhur,” thekson botuesi.
Në librin e jetës së Kadaresë, marrëdhënia me sistemin komunist dhe me Enver Hoxhën zë një vend të veçantë. Hudhri nënvizon se sunduesit shpirtërorë lënë hije të përjetshme, ndërsa sunduesit pushtetarë janë të përkohshëm. Ai zbulon gjithashtu se botimi në frëngjisht ishte ajo që e shpëtoi Kadarenë: “Ishte dera e vetme drejt Perëndimit. Franca.”
Sipas Hudhrit, shkrimtari kishte shumë gra rreth vetes, por Helena Kadare ishte muza e tij e vërtetë. “Zonja Helena i ka dhuruar dhe i ka falur gjithçka. Nuk është e lehtë të jetosh me një gjeni,” thotë ai.
Një tjetër detaj i fortë lidhet me akuzat e kohës: Bashkim Shehu i kishte thënë Kadaresë se në Byronë Politike qarkullonte ideja se ai ishte agjent i huaj. Burgun, sipas Hudhrit, e shmangu pikërisht fama ndërkombëtare dhe lidhja me Perëndimin.
“Kur sunduesit grinden”, gratë e jetës së Kadaresë, sekretet e mbijetesës së tij dhe marrëdhënia e ndërlikuar me pushtetin përbëjnë një mozaik që Hudhri e rrëfen jo vetëm si botues, por si dëshmitar i afërt i jetës së një gjeniu, që sipas tij, u largua nga kjo botë i qetë – sepse la pas një vepër të plotë dhe një trashëgimi të pavdekshme./abcnews.al


