Në një treg gjithnjë e më të mbushur me shkëlqim, e vërteta për diamantet mbetet shpesh e fshehur pas fasadës së bukurisë. Gemologu i certifikuar nga Gemological Institute of America, Jon Rexha, është ndër të paktët ekspertë në Shqipëri që “flet” gjuhën e gurëve miliona vjeçarë dhe sjell një tjetër perspektivë për këtë botë luksi.
Për të, diamanti nuk është thjesht një bizhuteri, por një kombinim mes shkencës, artit dhe investimit afatgjatë. Çdo gur kalon nëpër duart e tij, nga përzgjedhja deri te krijimi final, duke vendosur standarde të larta cilësie, ku 18 karat ari dhe diamant i pastër janë bazë e panegociueshme.
Por a mjafton që një diamant të shkëlqejë? Sipas Rexhës, jo. Vlera reale përcaktohet nga “4C”: prerja, ngjyra, pastërtia dhe pesha. Prerja mbetet elementi kyç që i jep jetë dhe reflektim dritës, ndërsa një gur që shkëlqen shumë nuk do të thotë domosdoshmërisht që ka vlerë të lartë.
Në treg po shfaqet një përplasje mes diamantit natyral dhe atij laboratorik. Ndërsa i pari formohet për miliona vite dhe mbart vlerë emocionale e investimi, i dyti prodhohet në pak javë dhe është më i përballueshëm. Për Rexhën, lidhja emocionale me gurin natyral mbetet e pazëvendësueshme.
Trendet po ndryshojnë. Vajzat po largohen nga klasiku dhe po zgjedhin diamante me ngjyra, sidomos të verdhë, për një stil më unik dhe modern. Ndërsa diamanti i bardhë vazhdon të mbetet simbol i përjetësisë në fejesa e martesa.
Megjithatë, paralajmërimi është i qartë: mos u mashtroni nga pamja. Certifikata është thelbësore për të kuptuar çfarë po blini origjinën, cilësinë dhe vlerën reale. Në fund, diamanti mbetet më shumë se një gur. Është kulturë, edukim dhe një zgjedhje që kërkon njohuri. Sepse në botën e gurëve të çmuar, jo gjithçka që shkëlqen… vlen.


