“Sekretet e bletëve”, në fermën me 300 koshere, 65-vjeçarja Tenxile Jazxhi e nisi me 10 koshere

schedule21:04 - 24 Dhjetor, 2022

schedule 21:04 - 24 Dhjetor, 2022

Nga Roland Beqiraj

Familjet e bletëve kanë rënë në gjumin dimëror. Ato pushojnë, deri në pranverë, por jo Tenxile Jazxhi.

“Që në mëngjes laj sytë, pi kafen dhe futem tek bletët. I shoh të gjitha me radhë. Njëherë i kontrolloj në 10, njëherë në 12. Dje i mbuluam.

65 vjecarja nga fshati Ponçarë i Devolli mësoi të kujdesej për bletët 33 vjet më parë kur u bë nuse në familjen Jazxhi. Kunati i saj e mori si ndihmëse.

“Kontakti i parë për të punuar me bletët është që në 1980. Punonte kunati. Unë kam qenë 22 vjeç, kur erdha bletët i gjeta. Kam ardhur në një familje me njerëz të mirë dhe me bletë që unë i kam shumë qejf. E ndihmoja kunatin me tymset, me kornizat i çoja, korniza i hiqja kur ju merrnim mjaltin. Bleta kërkon që të punojnë të gjithë, siç punon ajo, të punojë e gjithë familja.”

Tenxile e pa si punë të përkohshme dhe nuk e kishte menduar se bletërritja do bëhej profesioni i saj. Kur bashkëshorti dhe kunati emigruan mori përsipër të vazhdonte trashëgiminë e familjes. Me këshillat e tyre në distancë ja doli dhe pas 3 dekadash ngritur këtë fermë, të cilën e nisi me 10 koshere dhe sot ka arritur në 300.

“Filluam unë dhe kunata, dy gra punuam tamam dhe nuk lamë që bletët të zhdukeshin. Kur punoj këtu hyj për një orë dhe dal pas 4 orësh dhe nuk kam parë sa kam shpenzuar, përkundrazi jam kujdesur ta mbaj bletën ashtu siç duhet.”

Puna intensive nis sa hyn pranvera. 65 vjecarja sheh ecurinë e koshereve, kur diçka nuk shkon ndërhyn menjëherë.

“Marsi është pastrimi, do shikosh si ka dimëruar. Më pas do shohësh kush ka avancuar dhe kush është më e dobët. Do marrësh kornizat prej asaj të fortës do ti çosh tek e dobëta, që ti balancosh që kur të vijë koha e venies të kateve, të jenë të gjitha njëlloj. Më pas dalin mëmat jashtë për tu martuar. Do e kontrollosh, pasi ndodh që mëma nuk është kthyer dhe atëherë kosheres do ti vendosësh një mëmë tjetër.”

Prilli është muaji i dasmave të mbretëreshave. Derisa mëma martohet, bletët s’janë të qeta.

“Kur del mbretëresha, jashtë bletët janë të çorjentuara. Rrine tek dera dhe presin. Mbretëresha rri 5 ditë jashtë. Shkon me 10 meshkuj dhe me njërin prej tyre, që e konsideron më të mirin martohet. Pas kthimit ajo nis pjelljet e reja.”

 

Me kthimin e mëmës familja e bletëve kthehet në normalitet. Punët ndahen në mënyrë të barabartë.

“Një familje bletësh funksionon si një familje e rregullt në Shqipëri. Punën më kryesore e bën mbretëresha. Një mbretëreshë e mirë të jep rezultate të mira. Ajo jep udhëzimet, i nis bletët për ujë, për propolis, i nis për dyllë, i nis për mjaltë, i ka punët e ndara vetë. Ajo ka vetëm organizimin. Ka gra që punojnë më shumë, ne i kemi bletët që punojnë të gjitha njëlloj dhe të gjitha mirë.”

Tenxilia është shumë e vëmendshme. Bletët janë të zgjuara kur në koshere ka probleme reagojnë.

“Kur një bletë del jashtë është sinjal se në koshere punët s’janë mirë. Njëherë kishte hyrë në koshere një flutur e madhe. E hapim, pamë fluturën dhe e hoqëm.”

Ndryshimet e klimaterike ndikojnë në prodhimin e mjaltit. Sa më të shpeshta të jenë aq më pak rendiment ka.

“Nëse pranvera do të jetë e tamam, të ecë mirë do të kemi prodhim. Nëse temperaturat njëherë ngriten, njëherë ulen, fillon shiu dhe bleta nuk del jashtë10 ditë do të konsumojë rezervat që ka brenda dhe nuk jep rezultat.”

Ponçara ky fshat kufitar me Greqinë ushqen dhe bletët e vendit fqinj.

“Bletërritësit grekë, i sjellin këtu se zona ka shumë ushqim. Jemi vetëm 5 minuta larg. Sjellin deri 2.500 bletë çdo vit na e grabitën ushqimin. Ndikon dhe kjo në uljen e prodhimit.”

Bletërritësia thotë se investimi ja ka vlejtur, klientët i ka të garantuar.

“Në një vit të mbarë marrim deri 10 mijë kunjtal. Të rritësh bletë pasuron familjen tënde, një pasuri që nuk mund ta arrish me asnjë punë tjetër. Tregu i mjaltit është i sigurt. Janë kryesisht klientë të përhershëm, punojnë me porosi. Porosisin dhe të panjohur nga Tirana ja u dërgojmë me furgon.”

Këto janë dhe kavanozat që i kanë mbetur nga prodhimi i fundit i mjalti. Deri sa të dalë prodhimi i ri ato do ti konsumojë vetë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!